Veriu i Shqipërisë shihet ”si tokë e huaj”, Gjekmarkaj bën thirrje për protestë më 8 maj…

Nënkryetari i Partia Demokratike e Shqipërisë, Agron Gjekmarkaj, në një postim në rrjetet sociale ka shkruar se Shqipëria po përballet me një situatë të rënduar infrastrukturore dhe sociale, ku sipas tij, bllokimi i rrugëve dhe mungesa e investimeve kanë prekur thuajse të gjithë territorin e vendit, nga jugu në veri.

Ai thekson se zona veriore është më e goditura, duke e cilësuar trajtimin e saj si të ishte “tokë e huaj” dhe jo pjesë integrale e shtetit shqiptar.

Gjekmarkaj, gjatë fjalës së tij është ndalur veçanërisht në aksin rrugor Milot–Balldren, për të cilin është shprehur se ky aks përbën një problematikë serioze për banorët dhe vizitorët, sidomos në prag të sezonit turistik veror.

Sipas tij, kjo rrugë simbolizon vështirësitë e përditshme dhe mungesën e zgjidhjeve konkrete, duke paralajmëruar se situata mund të përkeqësohet më tej me rritjen e fluksit të lëvizjeve gjatë sezonit veror.

“Motivet për të protestuar janë të shumta, por korrupsioni është motivi kryesor. Prandaj, veriu i Shqipërisë, Lezha, Mirdita dhe Kurbini, më 8 maj do të jenë të gjithë bashkë në protestë”, deklaroi Gjekmarkaj.

Ai nënvizon se arsyet për reagim qytetar janë të mwdha, por sipas tij, korrupsioni mbetet shkaku kryesor i kësaj gjendjeje në vend, kryesisht në veri. Në këtë kuadër, Gjekmarkaj bën të ditur se më 8 maj, qytetarë nga veriu i vendit, përfshirë zonat e Lezhës, Mirditës dhe Kurbinit, pritet të bashkohen në një protestë, duke kërkuar ndërhyrje dhe ndryshim të situatës aktuale.