"Zgjedhorja", Skëndaj: Të ndalohet financimi i partive nga persona nën hetim apo me lidhje me krimin
Komiteti Shqiptar i Helsinkit propozoi sot disa ndryshime në projektligjin “Për financimin e partive politike”.
Në seancën dëgjimore me organizata të shoqërisë civile, të organizuar nga komisioni i posaçëm parlamentar për realizimin e Reformës Zgjedhore, Erida Skëndaj, drejtoreshë ekzekutive e Komiteti Shqiptar i Helsinkit parashtroi disa nga sugjerimet e këtij komiteti për përmirësimin e kuadrit ligjor.
Sipas saj nevojitet qartësim i disa dispozitave dhe koncepteve që ligji të jetë i qartë dhe i kuptueshëm për të gjithë.
Lidhur me nenin që ndalon ushtrimin e presionit për dhurimet, Skëndaj theksoi se ka vend për të parashikuar në të edhe dhurimet e kushtëzuara që janë të ndërlidhura me veprime të përcaktuara nga partia politike që përfiton këto dhunime për të cenuar integritetin e proceseve demokratike.
Për pjesën e burimeve që vijnë nga financimi i krimit të organizuar, Skëndaj tha se ligji parashikon ndalimin e financimet nga persona të dënuar për vepra të caktuara penale.
“Por kjo qasje mbetet e kufizuar në vlerësimin tonë në kushtet e Shqipërisë, pasi kemi ndalimin e dhurimeve nga persona të dënuar, por ndërkohë që mund të jenë persona nën hetim apo në lidhje direkte me krimin e organizuar apo biznese që financohen nga krimi i organizuar dhe si rrjedhojë legjitimohet burimi i financimit të partive politike”, shtoi Skëndaj.
Po ashtu Komiteti Shqiptar i Helsinkit kërkoi edhe qartësimin e ndryshimeve të propozuara për formulën e shpërndarjes së fondit publik për partitë politike.

