LAMTUMIRË SERVET PËLLUMBI! “Konservator dhe marksis-leninist”, Rama: Shfaqej papritur në celularin tim duke më çuar fjalë inkurajuese

Kryeministri Edi Rama, në fjalën e tij gjatë homazheve për ndarjen nga jeta të ish-kryetarit të Kuvendit, Servet Pëllumbi, ka zbuluar një dimension të panjohur të marrëdhënies së tyre, duke e përshkruar si një rrugëtim nga "antipatia reciproke në distancë" te një "simpati e thellë" pas njohjes nga afër. Rama foli për një njeri që fillimisht përfaqësonte gjithçka që ai nuk simpatizonte, por që më vonë u shndërrua në një mbështetës të heshtur në momente të vështira.

Duke folur para familjarëve dhe figurave të Partisë Socialiste, kreu i qeverisë e nisi rrëfimin e tij duke pranuar se e kishte njohur Pëllumbin pak dhe kryesisht nga larg. Në këtë distancë, Pëllumbi ishte mishërimi i etiketave publike që i ishin vënë ndër vite. "Përfaqësonte gjithçka që unë nuk simpatizoja: konservator, marksist-leninist, sovjetik, dhe të gjitha ato që shoqëronin figurën e tij kur vinte fjala për sulmet dhe etiketimet që i bëheshin," u shpreh Rama. Kjo marrëdhënie fillestare u përshkrua si një "antipati reciproke".

Megjithatë, përballja me realitetin e njeriut përtej kornizimit publik ishte, sipas Ramës, një nga "mësimet më të çmuara" të rrugëtimit të tij. Ai rrëfeu se, për habinë e tij, kur u afrua, njohu një njeri krejt tjetër. "Kam njohur një njeri shumë progresist, një njeri shumë dashamirës ndaj kujtdo që përpiqej të bënte diçka ndryshe," theksoi ai.

Pika kulmore e këtij transformimi në marrëdhënien e tyre ishte mbështetja e heshtur dhe solidariteti që Pëllumbi i ofroi në momente të vështira. Rama zbuloi se Pëllumbi shfaqej befasishëm në ekranin e celularit të tij me fjalë inkurajuese. "Befasisht shfaqej në ekranin e celularit tim në mënyrë të papritur, duke më çuar fjalë inkurajuese dhe duke më ndihmuar të shoh se përtej momentit të vështirë, kishte një kategori njerëzish që e vlerësonin situatën me qetësi dhe vërtetësi," tregoi Kryeministri.

Në fund të fjalës së tij, Rama e cilësoi Servet Pëllumbin si një pikë referimi në historinë e ndryshimeve në Shqipëri dhe në dinamikat e Partisë Socialiste. Por përtej figurës publike, ai theksoi kujtimin njerëzor që la pas. "E kujtoj dhe do ta kujtoj si një burrë të mirë, si një burrë të ndershëm, si një burrë të mençur dhe mbi të gjitha, si një burrë babagjan," përfundoi Rama.

FJALA E PLOTË E KRYMINISTRIT EDI RAMA

Për së pari, dëshiroj t'i shpreh ngushëllimet e mia të gjithë familjes dhe të afërmve të profesorit. Dhe nga ana tjetër, të falënderoj Namikun që ndau zemërgjerësisht këtë përgjegjësi për të folur për profesorin, gjë që e prita me shumë lehtësim, sepse isha në pamundësinë e plotë për të përgatitur një fjalë siç do të duhej të përgatitej një student përpara profesorit.

Po ndërkohë edhe për faktin se unë profesorin e kam njohur pak dhe e kam njohur përgjithësisht nga larg. Për hir të vërtetës, dua të kujtoj këtu se marrëdhënia ime me të është një marrëdhënie tipike e një antipatie reciproke në distancë dhe pastaj një simpatie reciproke në afërsi.

Për vite qëkurse e kam parë të shfaqet në sytë e mi, profesori përfaqësonte gjithçka që unë nuk simpatizoja. Konservator, marksist-leninist, sovjetik e të gjitha ato që e shoqëronin figurën e tij kur vinte fjala për sulmet dhe për etiketimet që i bëheshin. Dhe ka qenë një nga mësimet më të çmuara të gjithë këtij rrugëtimi tim, përballja me realitetin e njeriut përtej etiketimeve dhe kornizimit të tij në sferën publike.

Dhe për surprizën time, kam njohur një njeri shumë progresist, një njeri shumë dashamirës ndaj kujtdo që përpiqej të bënte diçka ndryshe. Dhe një njeri solidar me mua në momente të vështira, i cili befasishisht shfaqej në ekranin e celularit tim në mënyrë të papritur, duke më çuar fjalë inkurajuese dhe duke më ndihmuar të shoh se përtej momentit të vështirë, dhe përtej atyre që dukeshin, kishte një kategori njerëzish të cilët e ndiqnin dhe e vlerësonin një situatë të caktuar me qetësi edhe me vërtetësi.

Kur më shkruajti Beni që profesori kishte ndërruar jetë, më erdhi si e papritur për faktin e thjeshtë se nuk e di pse isha mësuar me idenë që profesori ecte çdo ditë edhe më dukej si diçka e paravendosur që ai do ecte gjithmonë.

Dhe në ato pak raste kur e kam takuar, e e gjeja gjithmonë në formë dhe gjithmonë të dëshiruar për të folur për ato tema që ai i kishte për zemër. Natyrisht që kur një njeri largohet, shumëçka që lidhet me të afrohet, por besoj se edhe kur ky afrim i gjërave si rezultat i momentit të tretet në kohë, profesori do të mbetet një pikë referimi në historinë e ndryshimeve dhe të ndryshimit të epokave siç e përmendi Namiku.

Dhe padyshim një pikë referimi edhe për të gjithë ata që do të duan një ditë të kuptojnë dinamikat edhe historinë e vetë Partisë Socialiste. Por ajo që është ende më e rëndësishme në këndvështrimin tim është kujtimi që ai lë mbrapa.

Besoj që me zë ose pa zë, gjithsekush që e ka njohur, e kujton dhe do ta kujtojë si një burrë të mirë, si një burrë të ndershëm, si një burrë të mençur dhe mbi të gjitha si një burrë babagjan. E kështu uroj ta kujtojnë gjithmonë jo vetëm djemtë, por edhe mbesat, nipërit, dhe të gjithë të afërmit e tij.