VIDEO/ Fjalimi mes lotësh i Arben Pëllumbit për babain e ndjerë Servet Pëllumbi: Na mësoi se jeta duhet jetuar me ndershmëri
Në një ceremoni solemne ku ishin të pranishëm personalitete të larta të politikës, përfshirë Kryeministrin Edi Rama, deputetë, ministra dhe ambasadorin e Kosovës, djali i të ndjerit Arben Pëllumbi mbajti një fjalim lamtumire thellësisht prekës për babain e tij, ish-kreu e Kuvendit të Shqipërisë, Servet Pëllumbi.
Me zërin që i dridhej nga dhimbja, ai iu drejtua të pranishmëve duke e përshkruar humbjen e babait si humbjen e “njeriut më të shtrenjtë” dhe “një shtylle të jetës”.
Fjalët e tij pikturuan portretin e një prindi që ishte më shumë se kaq: një figurë udhëheqëse me shembull dhe dinjitet.
“Babai ynë nuk ishte thjesht një prind. Ai ishte një njeri me vlerë të rrallë, i drejtë, i qetë dhe i respektuar nga të gjithë ata që patën fatin ta njohin”, u shpreh ai, duke theksuar vlerat morale që i ati i kishte përcjellë.
Mes mësimeve më të çmuara, djali veçoi ndershmërinë, përgjegjësinë dhe dashurinë për familjen si parimet themelore me të cilat ishin rritur.
“Na mësoi të qëndrojmë të fortë edhe kur jeta bëhet e vështirë, të mos ulim kokën përballë padrejtësive dhe të ruajmë gjithmonë dinjitetin”, shtoi ai, duke treguar forcën e karakterit të babait të tij.
Duke e quajtur çdo kujtim me të “një pasuri të paçmuar”, ai u zotua se trashëgimia e tij do të jetojë përgjithmonë.
“Sot dua të them me krenari që jam djali i tij. Ai do të jetojë gjithmonë tek ne, në mënyrën si jetojmë, si sillemi dhe si do ta duam njëri-tjetrin”, ishin fjalët e tij plot krenari dhe emocion.
Fjalimi u mbyll me një lamtumirë të ndjerë drejtuar figurës së tij, të cilit iu referua si “profesor”. “Lamtumirë profesor. Faleminderit për gjithçka na dhe. Do të jesh gjithmonë mes nesh. U prefsh në paqe”.
FJALA E ARBEN PËLLUMBIT
I nderuar zoti kryeministër Rama, të nderuar kolegë deputetë, zotërinj ministra, i nderuar zoti ambasador i Kosovës, si dhe të gjithë ju që me marrjen e lajmit na keni qëndruar pranë, na keni shkruar apo na keni telefonuar. Në emër të familjes, ju falenderoj të gjithëve. Sot qëndroj para jush me një dhimbje të thellë në zemër për t'i dhënë lamtumirën njeriut më të shtrenjtë të jetës sonë. Është e vështirë të gjesh fjalët kur humbet një baba.
Humb një shtyllë të jetës tënde, një mbështetje të heshtur, një figurë që të ka udhëhequr me shembull dhe dinjitet. Babai ynë nuk ishte thjesht një prind. Ai ishte një njeri me vlerë të rrallë, i drejtë, i qetë dhe i respektuar nga të gjithë ata që patën fatin ta njohin. Ai na mësoi se jeta duhet jetuar me ndershmëri, me përgjegjësi dhe mbi të gjitha, me dashuri për familjen.
Na mësoi të qëndrojmë të fortë edhe kur jeta bëhet e vështirë, të mos ulim kokën përballë padrejtësive dhe të ruajmë gjithmonë dinjitetin. Çdo kujtim me të është një pasuri e paçmuar për mua dhe për ne. Fjalët e tij, këshillat, prania e qetë, të gjitha këto do të na shoqërojnë përgjithmonë. Sot dua të them me krenari që jam djali i tij.
Krenar për familjen që ai ndërtoi, për vlerat që na la dhe për dashurinë që na dhuroi pa kushte. Ai do të jetojë gjithmonë tek ne, në mënyrën si jetojmë, si sillemi dhe si do ta duam njëri-tjetrin. Largimi i tij ka lënë një boshllëk të madh, por gjithashtu ka lënë edhe një dritë të fortë, shembullin e jetës së tij. Dhe kjo dritë do të vazhdojë të na udhëheqë. Lamtumirë profesor. Faleminderit për gjithçka na dhe. Do të jesh gjithmonë mes nesh. U prefsh në paqe.

