LAMTUMIRË SERVET PËLLUMBI! Namik Dokle zbulon anën e panjohur të “profesorit të socialistëve”

Në një ceremoni homazhesh të mbushur me emocion, familjarë, miq dhe personalitete të politikës i dhanë lamtumirën e fundit profesor Servet Pëllumbit, një prej figurave më emblematike të tranzicionit shqiptar.

Fjalimi mortor, i mbajtur nga një mik i afërt i tij, pikërisht ish-kryetari dhe ish-deputeti i Partisë Socialiste, Nmaik Dokle zbuloi jo vetëm dimensionin politik, por mbi të gjitha atë njerëzor të njeriut që u njoh si "profesori i socialistëve".

Servet Pëllumbi u cilësua nga Dokle, si një protagonist i historisë së Partisë Socialiste, që nga dita e parë e themelimit të saj. Ai ishte një figurë kyçe në vitet më të vështira të tranzicionit, "kur kishte më shumë dilema e më pak siguri, më shumë turbullira e më pak vizion".

Gjatë fjalimit, Dokle, theksua roli i tij udhëheqës në periudhën kur partia ishte në opozitë dhe kryetari i saj historik, Fatos Nano, ndodhej në burg.

Dokle tha se Pëllumbi mori mbi supe përgjegjësi të mëdha, duke e drejtuar forcën politike me maturi, guxim dhe integritet, duke u bërë kështu sinonim i ndershmërisë dhe përkushtimit.

Meritat e tij në modernizimin evropian të Partisë Socialiste dhe në krijimin e një modeli të demokracisë së brendshme u vlerësuan si të padiskutueshme.

Filozofia e tij politike ishte e qartë, vijoi Dokle: ndërtimi i një shoqërie që funksionon, një Shqipëri normale. Ai besonte se qeverisja dhe politika e mirë fillonin te pragu i derës së çdo qytetari. I shqetësuar nga politika si "art i marrjes së votave nga të varfrit dhe parave nga të pasurit", Pëllumbi luftoi për një demokraci reale, të padeformuar nga ambiciet e errëta. Sentenca që përmblidhte mendimin e tij ishte se "nuk jetojmë një epokë ndryshimesh, por jetojmë një ndryshim epokash", duke theksuar nevojën për t'iu përshtatur këtij realiteti të ri me përgjegjshmëri.

Por përtej politikanit dhe mendimtarit, Namik Dokle, zbuloi një anë thellësisht njerëzore të profesorit. Një rrëfim personal për një përqafim ngushëllues 30 vite më parë, në një moment dhimbjeje personale, dëshmoi për dhembshurinë dhe miqësinë e tij të pakushtëzuar.

Ai përshkruhet nga si "mik i popullit", një njeri që çdo ditë takonte qytetarë të thjeshtë, të njohur e të panjohur, dëgjonte hallet e tyre dhe përpiqej t'i zgjidhte. Kjo afërsi me njerëzit ishte thelbi i karakterit të tij.

Në fund, trashëgimia e Servet Pëllumbit u përmblodh në një frazë të vetme: "Ishte politikan, ishte filozof, ishte mendimtar, por mbi të gjitha ishte njeri". Një njeri, dimensionin njerëzor të të cilit mijëra shqiptarë nuk do ta harrojnë, dhe që do të mbetet përgjithmonë në përjetimet e tyre.

FJALIMI I NAMIK DOKLES

Të dashur Lavdie, Arben, Erli, vëlla Zeqir e motër Fitrete, mbesa, nipër dhe të afërm të tjerë të profesor Servetit, miq, shokë, dashamirë.

Shumë e vështirë qenka t'i mbledhësh fjalët që do të thuash në lamtumirën e një njeriu të dashur, miku dhe shoku, bashkudhëtari dhe bashkëluftëtari të viteve kur kishte më shumë dilema e më pak siguri, më shumë turbullira e më pak vizion, më shumë tronditje se vetëpërmbajtje.

Të viteve kur në vend të ndarjes duhej bashkimi, në vend të dëshpërimit duhej shpresa, në vend të dyshimit duhej besimi, në vend të urrejtjes duhej dashuria. Është e vështirë t'i mbledhësh fjalët kur shpirtin ta ka goditur lajmi i trishtë dhe tronditës i ndarjes nga jeta të një njeriu si profesor Servet Pëllumbi.

Një jetë e tërë njerëzore dhe politike derdhet në ekranet e kujtesës, që nga dita e parë e themelimit të Partisë Socialiste, në betejat e vështira opozitare, në udhët dhe rrugët e demokracisë së brishtë, në mundimet e ndërtimit të një shoqërie normale me njerëzit dhe për njerëzit.

Dhe gjithmonë ai ishte aty. Aty ku duhej më shumë mençuri, ku duhej më shumë besim, më shumë kurajo, më shumë largpamësi. Është për këtë arsye që të gjithë e quajtën, të gjithë e njohën dhe e pranuan si profesorin e socialistëve.

T'i lësh trashëgim një force politike, madje një vendi të tërë, imazhin e një epoke, kjo nuk është një lavdi e papërfillshme, përkundrazi.

Profesor Servet Pëllumbi ishte protagonist i historisë udhëheqëse të Partisë Socialiste në një kohë të vështirë e të rëndë të tranzicionit politik të Shqipërisë. Urtësia dhe intelektualizmi i tij, qytetaria shembullore dhe guximi politik i shërbyen jo vetëm forcës politike ku ishte një nga drejtuesit kryesorë, por edhe gjithë shoqërisë.

Thonë se jeta nuk është ajo që dikush jeton, por ajo që lë pas vetes për t'u kujtuar dhe treguar. Profesor Servet Pëllumbi ishte ndër të parët politikanë të tranzicionit shqiptar e ndoshta edhe ndër të paktët që kuptoi se e ardhmja nuk është më ajo që ishte. Dhe iu përkushtua si mendimtar dhe udhëheqës politik, si veprimtar dhe organizator, ndërtimit të një demokracie reale, vepruese dhe të padeformuar nga ambiciet e errëta, nga mllefi dhe bajraktarizmi, nga lakmia dhe mashtrimi.

Thelbi i ndryshimit në konceptimin e tij ishte ndërtimi i një shoqërie që funksionon, ndërtimi i një Shqipërie normale. Ai komunikonte me kohën nëpërmjet problemeve që shqetësonin shoqërinë dhe jo në të kundërtën. Ai mendonte se qeverisja dhe politika e mirë fillon te pragu i derës së çdo qytetari.

Ai kërkonte që çdo shqiptari të mos i bëhej pyetja nga vjen, por secili të pyetet se ku dëshiron të shkojë, duke gjetur kështu të gjithë së bashku rrugën drejt Evropës së re e të bashkuar. Mungesa e një mendimi intelektual kritik, në kuptimin e thellë dhe koherent të termit, thoshte profesor Serveti, është fragjiliteti më i madh i kësaj etape që kalojmë.

Nëse nuk kemi një vizion të qartë evropian, nuk është e mundur të ndërtojmë një projekt të tillë kompleks. Prandaj, në librat e shumtë që shkroi, në diskutimet e niveleve të larta, në prezencën dhe drejtimin e Kuvendit, ai me forcën e mendimtarit dhe efikasitetin e udhëheqësit politik, i mëshoi idesë dhe domosdoshmërisë që vlerat evropiane t'i bartim në çdo qelizë të shoqërisë shqiptare. Ai udhëhiqej nga ideja e Einstein-it se për të zgjidhur problemet e një shoqërie, më parë e mbi të gjitha duhet të ndryshojmë mentalitetin që i ka pjellur ato probleme.

Dhe natyrisht, jo gjithmonë ishte i lumtur për këtë aspekt të realiteteve tona. Edhe në vendin tonë për fat të keq, intelektualët nuk janë gjithmonë edhe lider të opinionit publik. Ndikimi shoqëror nuk është domeni i tyre, por është zëvendësuar nga komunikuesit radio-televizivë, ashtu si kantautorët zëvendësuan poetët e vërtetë. Profesor Servet Pëllumbi bëri përpjekje të jashtëzakonshme për të kundërtën.

Si mendimtar dhe si lider, luftoi që politika të gjenerojë kapitalin njerëzor, që shoqëria të mund të zhvillohet, të mbajë në një nivel të mirë kohezionin brenda vetes dhe të adaptohet me ndryshimet e shpejta që përjetojmë. Atë e shqetësonte shumë ajo lloj politike që transformohet në artin e të marrjes së votave nga të varfrit dhe të parave nga të pasurit, ndërkohë që u premton të dyja palëve se do t'i mbrojë nga njëra-tjetra.

Dhe i gjithë mendimi i tij filozofik përmblidhej në sentencën se nuk jetojmë një epokë ndryshimesh, por jetojmë një ndryshim epokash. E prandaj duhet të jemi në lartësinë e këtyre ndryshimeve.

Në periudhën më të vështirë të socialistëve në opozitë, kur kryetari Fatos Nano ishte në burg, ai mbajti mbi supe përgjegjësi të mëdha. I përballoi ato me sakrificë dhe e drejtoi partinë me maturi, guxim dhe integritet. Ishte sinonim i ndershmërisë dhe përkushtimit. Ai ka merita të padiskutueshme në modernizimin evropian të Partisë Socialiste dhe në krijimin e një modeli demokracie të brendshme të pazakontë.

Duke folur sot në lamtumirën e njeriut me të cilin patëm një miqësi të pakushtëzuar, të sinqertë e të ndershme, kujtoj një lamtumirë tjetër plot 30 vjet më parë. Po kthehesha nga një udhëtim jashtë shtetit me merakun se kisha lënë nënën të sëmurë dhe në aeroport më priti profesor Serveti.

Pse paske dalë profesor? Dola për ty më tha. Ah, më paska lënë nëna. Po, më tha, dhe atë përqafim të tij nuk mund ta harroj kurrë. Ashtu si mijëra njerëz në gjithë Shqipërinë, kurrë nuk do të harrojnë dimensionin njerëzor të profesor Servetit. Ai ishte mik i popullit. Çdo ditë, po, çdo ditë, takonte njerëzit, të njohur dhe të panjohur, intelektualë dhe artistë, punëtorë dhe të papunë, studentë dhe fshatarë, socialistë dhe jo socialistë. Dëgjonte pyetjet dhe u përgjigjej të gjithëve.

Dëgjonte hallet dhe përpiqej t'i zgjidhte. Ishte politikan, ishte filozof, ishte mendimtar, por mbi të gjitha ishte njeri. Njeri që mbetet përgjithmonë në përjetimet e njerëzve. Lamtumirë i dashur profesor.