VIDEO/ Tirana në ritmin e motorëve, rikthehet panairi i shumëpritur automotive
“Automotive Fair Albania” rikthehet në edicionin e katërt, duke sjellë për publikun një tjetër event të madh të dedikuar pasionit për automjetet dhe teknologjinë, i cili do të zhvillohet në datat 21-24 maj në Tiranë.
Panairi do të mbahet në të njëjtin vend, duke premtuar të njëjtën energji dhe atmosferë dinamike që e ka karakterizuar në edicionet e mëparshme, nën moton “Fueled by Passion”.
Organizatorët bëjnë të ditur se këtë pranverë, zhurma e motorëve dhe spektakli i automjeteve do të rikthehen në zemër të kryeqytetit, duke ofruar një program të pasur me aktivitete dhe surpriza për të gjithë të apasionuarit pas botës automotive.
Një nga risitë e këtij edicioni është pjesëmarrja për herë të parë në Shqipëri e “Stunt Street Show”, një performancë e njohur ndërkombëtarisht, e realizuar nga një ekip fitues i shumëfishtë i spektaklit botëror të makinave.
Gjithashtu, në kuadër të panairit do të zhvillohet edhe gara “Best Young Drivers”, ku fituesi i këtij viti do të ketë mundësinë të përfaqësojë Shqipërinë në aktivitete ndërkombëtare të kësaj fushe.
“Automotive Fair Albania” synon të promovojë industrinë automotive, inovacionin dhe talentet e reja, duke u kthyer në një pikëtakim të rëndësishëm për profesionistët dhe entuziastët e këtij sektori në vend dhe më gjerë.

