Themeluesi i CNN mbyll sytë përgjithmonë në moshën 87-vjeçare
Themeluesi i CNN, Ted Turner, ka ndërruar jetë në moshën 87-vjeçare. Lajmi u bë i ditur përmes një njoftimi nga Turner Enterprises.
Turner ishte një nga figurat më të njohura në historinë e medias moderne dhe njeriu që krijoi rrjetin e parë televiziv të lajmeve 24 orë në botë, CNN.
Ai njihej për stilin e tij të drejtpërdrejtë dhe për ndikimin e madh në zhvillimin e televizionit informativ.
Gjatë karrierës së tij, ai ndërtoi një perandori mediatike që përfshinte kanale televizive, super-stacione kabllore dhe platforma argëtimi. Gjithashtu ishte pronar i ekipit të bejsbollit Atlanta Braves.
Përveç biznesit, Turner ishte aktiv edhe në filantropi dhe çështje globale.
Ai themeloi United Nations Foundation dhe mbështeti nisma për mbrojtjen e mjedisit dhe reduktimin e armëve bërthamore.
Ai ishte gjithashtu krijues i serialit edukativ “Captain Planet and the Planeteers”, që synonte ndërgjegjësimin mjedisor te të rinjtë.
Në vitin 2018 ai kishte bërë të ditur se vuante nga demenca Lewy body, ndërsa në fillim të vitit 2025 ishte shtruar për një infeksion në mushkëri, nga i cili u rikuperua më pas në një qendër rehabilitimi.

