FOTO/ Koncert për 80-vjetorin e kompozitorit të mirënjohur Shpëtim Kushta

Në 80-vjetorin e lindjes së kompozitorit Shpëtim Kushta, u zhvillua një Koncert Premierë, i cili solli për artdashësit krijimtarinë e zgjedhur të kompozitorit.

Ky koncert u zhvillua në kuadër të projektit “Nota mbi pentagram” i cili zbatohet nga Qendra CEDI me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit.

Koncerti Premierë ishte konceptuar si një udhëtim artistik i mbushur me emocion, finesë dhe kujtesë, për një krijues që ka lënë gjurmë të thella në muzikën shqiptare.

Shpëtim Kushta, i lindur në Vlorë më 19 prill 1946, është një kompozitor dhe pedagog i shquar shqiptar, me një krijimtari mbi 55-vjeçare në muzikën instrumentale dhe vokale.

FOTO/ Koncert për 80-vjetorin e kompozitorit të mirënjohur

I diplomuar në Konservatorin Shtetëror të Tiranës për kompozicion, ai ka krijuar në pothuajse të gjitha gjinitë muzikore, nga këngët dhe romancat deri te veprat simfonike, përfshirë poema simfonike, uvertura, kantata, muzikë filmash dhe ciklin “In Tenebris”.

Krahas krijimtarisë, ka dhënë një kontribut të madh në arsimin muzikor si pedagog në Universitetin e Arteve që prej vitit 1967. Është nderuar me titujt “Artist i Merituar”, “Profesor” dhe “Mjeshtër i Madh”, ndërsa veprat e tij janë interpretuar brenda dhe jashtë Shqipërisë, duke zënë një vend të rëndësishëm në muzikën shqiptare.

FOTO/ Koncert për 80-vjetorin e kompozitorit të mirënjohur

Në koncertin e mbajtur për nder të tij, në Universitetin e Arteve, interpretoi Orkestra Simfonike e RTSH si dhe Kori i TKOB. Interpretuan gjithashtu solistët: Lorenc Radovani, Astrit Selita, Laura Kushta, Nina Muho, Olta Boka dhe Kamela Islamaj.

Veprat e kompozuara nga Shpëtim Kushta u dirigjuan prej dirigjentëve: Eno Koço, Gridi Kraja, Olsi Qinami dhe Dritan Lumshi, nën moderimin e Balina Bodinakut.