Arkivat kalojnë në varësi të Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit

Komisioni për Ekonominë, Punësimin dhe Financat shqyrtoi në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi projektligjin “Për disa ndryshime në ligjin ‘Për arkivat’, të ndryshuar”, duke miratuar ndryshimin që parashikon kalimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave në varësi të Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit.

Gjatë prezantimit të projektligjit, zëvendësministrja e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Lira Pipa, bëri të ditur se ky ndryshim synon kalimin e institucionit nga varësia aktuale e Kryeministrisë në varësi të ministrisë përgjegjëse për kulturën dhe trashëgiminë.

Sipas Pipës, ky riorganizim vjen në kuadër të rekomandimeve të SIGMA-s në raportin e vitit 2025, të cilat lidhen me përmirësimin e hartimit të politikave dhe organizimin institucional sipas praktikave më të mira ndërkombëtare.

Ajo theksoi se raporti sugjeron rishikimin e strukturës së disa agjencive autonome, duke i vendosur ato në varësi të ministrive përkatëse, në mënyrë që të rritet efikasiteti dhe koordinimi institucional. Në këtë kuadër, arkivat konsiderohen si pjesë e rëndësishme e trashëgimisë kulturore, ndaj vendosja e tyre pranë Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit shihet si një hap i natyrshëm.

“Ministria ka përvojën dhe kapacitetet e nevojshme për ruajtjen, konservimin dhe promovimin e materialeve arkivore me vlerë historike për vendin”, u shpreh Pipa.

Ajo shtoi se kjo ministri është tashmë përgjegjëse për zbatimin e politikave në fushën e trashëgimisë kulturore dhe menaxhimin e muzeve, si dhe ka institucione në varësi, si Arkivi i Filmit Artistik dhe Dokumentar, duke pasur gjithashtu bashkëpunime të konsoliduara me Bibliotekën Kombëtare dhe institucione të tjera kulturore.

Sipas zëvendësministres, ndryshimi nuk sjell efekte financiare shtesë dhe nuk parashikon transferim të kapaciteteve njerëzore apo të infrastrukturës, por lidhet kryesisht me riorganizimin institucional dhe përmirësimin e funksionimit të sektorit.

Projektligji pritet të kaloi për miratim në seancë plenare të Kuvendit.