“The Washington Post” dhe “The New York Times” kryesojnë në çmimet “Pulitzer”

Çmimet “Pulitzer” të këtij viti kanë vlerësuar një sërë raportimesh që analizojnë ndikimin e politikave të presidentit amerikan, Donald Trump.

Administratorja e “Pulitzer”, Marjorie Miller deklaroi dje gjatë shpalljes së fituesve – se një pjesë e madhe e mbulimit mediatik – është fokusuar te temat më të debatueshme të vitit, përfshirë politikat e emigracionit, shkurtimet e ndihmës amerikane për zhvillim dhe raportimet mbi dosjet që lidhen me abuzuesin seksual Jeffrey Epstein.

Gazeta “The Washington Post” u vlerësua për raportimin mbi ndikimin e ristrukturimit të agjencive federale nga administrata Trump.

Ndërkohë, “The New York Times” fitoi për investigimet që zbuluan mënyrat se si Trump përdori pushtetin për përfitime financiare për familjen e tij.

Gazetarët e “Chicago Tribune” u vlerësuan për mbulimin e operacioneve të autoriteteve amerikane të emigracionit në qytet.

Çmime të tjera u dhanë për raportime mbi inteligjencën artificiale, përmbytjet vdekjeprurëse në shtetin amerikan të Teksasit dhe shkatërrimet në Gaza.

Një vlerësim i veçantë iu akordua gazetares, Julie K Brown, së “Miami Herald” për investigimet e saj në vitet 2017–2018 ndaj Epstein dhe abuzimeve me vajza të reja.

Miller theksoi se çmimet nënvizojnë gjithashtu angazhimin për lirinë e shtypit, në një kohë kur media përballet me presione në rritje, duke përmendur kufizimet në aksesin në Shtëpinë e Bardhë dhe Pentagon, si dhe veprimet ligjore të ndërmarra nga presidenti ndaj mediave.

Çmimet “Pulitzer” konsiderohen gjerësisht si më prestigjiozet në gazetari, ndërsa jepen edhe për arritje në letërsi, muzikë dhe teatër.