Ekspozita, koncerte e çelje sezoni turistik, në eventet e kësaj jave
Gjatë kësaj jave, Tirana do të gjallërohet nga një sërë aktivitetesh artistiko-kulturore të cilat do t’i japin qytetit një ritëm të veçantë.
Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit do të jetë nga më të angazhuarit, me vepra si “Carmen” dhe dy koncerte nga Tedi Papavrami.
Te Catalyst Institute vijon ekspozita “S.T.I.L.L” e Brook Velos. Ekspozita “Toka mban” nga Kushtrim Mehmeti mund të ndiqet në Bazament Art Space, në Tiranë. Një tjetër ekspozitë mund të ndiqet në Muzeun “Marubi” në Shkodër, ekspozita Rrok Zojzi.
Sot do të shfaqet në “Zgjoi”në kinemanë e Pogradecit. Filmi është një nga sukseset më të mëdha të kinematografisë kosovare, një dramë e fuqishme e bazuar në një histori të vërtetë, që ndërthur dhimbjen e luftës me forcën e gruas për të mbijetuar.
Një event interesant do të jetë ai i datës 6 maj në Steblevë, ku zhvillohet Festa e Shën Gjergjit ose Festa e Luleve, një nga traditat më të bukura të zonës. Njëkohësisht do të festohet edhe në Shëngjergj, në Majën e Skrepit, ku aktivitetet do kulmojnë pasdite me këngë, valle e ushqime tradicionale.
Orkestra Simfonike e RTSH-së fton në një mbrëmje muzikore më 6 maj, ora 20:00, në Hollin “Gjon Simoni”, për koncertin “Bethoven Tirana 2026”. Në program do të ketë Cécile Chaminade – Concertino për flaut dhe orkestër, Pablo Ortiz – Mores Redux, Ludwig van Beethoven – Simfonia Nr. 7 në La maxhor.
Më 8 dhe 9 maj, Vlora çel zyrtarisht sezonin turistik me festën më të madhe të bregdetit, me dy ditë plot muzikë, sport dhe aktivitete të tjera. Në Vlorë do të performojnë Noizy, Adelina Ismaili, Elgit Doda, Ronela Hajati etj.

