Nga opera “Carmen” te shfaqjet e Ansamblit Popullor, maji në TKOB

Maji në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit do të jetë i mbushur me aktivitete, të cilat nisin me baletin “Carmen” e përfundojnë me konkursin “Eja këndo me ne”. Gjatë majit do të ketë opera, balet, koncertet simfonike, shfaqje të Ansamblit Popullor si dhe turne ndërkombëtar.

Prej sot e deri më 10 maj janë në program 4 shfaqje të “Carmen”, të cilat bëhen edhe më të mrekullueshme me rikthimin e shumëpritur të Anbeta Toromanit në rolin kryesor, përkrah Luca Currelit si Escamillo dhe Alessandro Macario si Don José.

Pas shfaqjeve në TKOBAP, trupa e baletit udhëton drejt Bologna-s për të interpretuar në Teatro Comunale di Bologna.

Një tjetër takim i rëndësishëm me TKOB janë dy net me “24 Kapriçot e Paganinit”, të cilat do të vijnë nga virtuozi Tedi Papavrami, në 12 dhe 13 maj.

“Dita e Ansamblit – Brez pas Brezi” sjell në skenë “Gjerdanin e Artë” të Ansamblit Kombëtar. Një mbrëmje që bashkon artistët ndër vite, këngëtarë, valltarë dhe instrumentistë, në një takim që lidh traditën me të ardhmen.

Muaji kulmon me premierën absolute “Fundi i Golemëve”, me muzikë nga Nikolla Zoraqi, libret nga Kolë Jakova, nën dirigjimin e Zhani Cikos dhe konceptin regjisorial të Nikolin Gurakuqit.

Ndërsa më 28 dhe 29 maj, do të zhvillohet konkursi me pjesëmarrjen e 30 shkollave 9-vjeçare të Tiranës, Korit të TKOBAP-së dhe dirigjimin e moderimin e Dritan Lumshit.