“Është e vështirë të jetosh vetëm me xhaz"/ Saksofonisti Sejdo: Muzikantët detyrohen të punojnë edhe në rryma të tjera për të mbijetuar
Në emisionin “Ora e Betit” ishte i ftuar saksofonisti Sokol Sejdo, i cili foli për zhvillimin e xhazit në Shqipëri, karrierën e tij artistike dhe historinë pak të njohur të këtij zhanri në vend.
Ai tregoi se xhazi në Shqipëri nuk është një fenomen i vonshëm, por ka rrënjë që datojnë që në fund të viteve ’30 dhe fillim të viteve ’40, gjatë periudhës së pushtimit italian.
Sipas tij, në Tiranë muzikantë shqiptarë dhe italo-shqiptarë kanë interpretuar xhaz në ambiente si Hotel Dajti, gjë që ndryshon perceptimin e zakonshëm për lindjen e këtij zhanri në vend.
Sejdo tha se më pas muzika u përhap edhe përmes pllakave të gramafonit, sidomos në qytete me traditë muzikore si Korça dhe Shkodra, të cilat i konsideron si dy nga qendrat e para ku xhazi nisi të depërtonte në Shqipëri.
Në lidhje me skenën aktuale, ai u shpreh se xhazi mbetet një zhanër i kufizuar në disa evente dhe festivale, ndërsa shumica e muzikantëve detyrohen të punojnë edhe në rryma më komerciale për të siguruar jetesën.
“Xhazi në Shqipëri ka filluar shumë herët. Ka foto nga Hotel Dajti në kohën e Italisë, ku luhej muzikë xhaz nga muzikantë shqiptarë dhe italo-shqiptarë.”-tha Sejdo.
Ai shtoi se edhe pse interesi për xhazin është rritur, ai mbetet një zgjedhje pasioni dhe jo një burim i qëndrueshëm jetese për shumicën e artistëve.
“Është e vështirë të jetosh vetëm me xhaz. Muzikantët detyrohen të punojnë edhe në rryma të tjera si popi apo rroku, për të mbijetuar.”- u shpreh ai.
Sokol Sejdo ndau edhe historinë e tij personale, duke treguar se formimi i tij është në muzikë klasike, ndërsa xhazin e zbuloi gjatë punës artistike dhe bashkëpunimeve me muzikantë të tjerë. Ai ka qenë pjesë e skenës muzikore për dekada, përfshirë mësimdhënien dhe bashkëpunimet me orkestra të ndryshme në vend.
NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË E "ORA E BETIT" NË ORA NEWS:

