“Paris, Texas”, kryevepra që ktheu Wim Wenders në një ikonë globale të kinemasë
Kur Wim Wenders realizoi “Paris, Texas”, ai ishte tashmë një emër i rëndësishëm i kinemasë së re gjermane, por filmi do të shënonte pikën e kthesës në karrierën e tij, duke e ngritur në statusin e një regjisori të njohur dhe të vlerësuar ndërkombëtarisht.
Filmi fitoi “Palme d’Or” në Festivalin e Filmit në Kanë dhe mbetet edhe sot vepra më e dashur e Wenders, një rrugëtim i ndjerë dhe brutal njëkohësisht mbi kuptimin e familjes, lirisë dhe ëndrrës amerikane.
Me syrin e një europiani që vështron Amerikën si një territor mitik, Wenders arriti të kapë madhështinë dhe vetminë e peizazheve amerikane. Kameramani Robby Müller solli në ekran tabela gjigante reklamuese, ndërtesa të ndriçuara me neon, horizonte të largëta qytetesh, motele buzë rrugëve dhe shkretëtira të pafundme, duke krijuar një estetikë që mbetet e paharrueshme në historinë e kinemasë.
Ndikimi i fotografisë në vizionin e regjisorit ishte thelbësor. Përpara xhirimeve, Wenders ndërmori një udhëtim nëpër Teksas dhe Kaliforni me aparatin e tij të formatit “medium”, në kërkim të atmosferës që dëshironte të krijonte në film. Fotot e realizuara gjatë këtij rrugëtimi u botuan më pas në librin “Written in the West”, ku shfaqen pika karburanti të humbura në mes të askundit, motele me drita neoni dhe rrugë të zbrazëta që mishërojnë vetminë e Perëndimit amerikan.
Imazhe si “Flammable”, ku qielli portokalli bën kontrast me dritat blu të një ndërtese të vetmuar, apo “Quiet Sleep”, me tabelën neon të një moteli që ndriçon errësirën, tregojnë sa i rëndësishëm ishte ky udhëtim për identitetin vizual të filmit.
“Ky ishte një tjetër mënyrë për t’u përgatitur për filmin, një lloj kërkimi që kishte më pak lidhje me vendndodhjet dhe më shumë me dritën e Perëndimit”, është shprehur më herët regjisori.
“Paris, Texas” mbështetet gjithashtu mbi temat që Wenders kishte eksploruar në trilogjinë e tij të famshme “road movie”, ku përfshihen “Alice in the Cities”, “Wrong Move” dhe “Kings of the Road”. Në këto filma, ashtu si edhe në “Paris, Texas”, rruga shndërrohet në një hapësirë reflektimi, vetmie dhe kërkimi të identitetit.
Megjithatë, regjisori nuk rikthen thjesht idetë e vjetra, por i zgjeron ato në mënyrën më të plotë. Interpretimet e Harry Dean Stanton dhe Nastassja Kinski i japin filmit një forcë emocionale të jashtëzakonshme, duke sjellë në ekran personazhe të përhumbur mes dëshirës njerëzore dhe peshës së së shkuarës.
Një tjetër ndikim kyç ishte libri “Motel Chronicles” i shkrimtarit dje aktorit amerikan Sam Shepard, i cili më pas zhvilloi edhe skenarin e filmit. Përzierja e prozës, poezisë dhe fotografive në librin e Shepard krijoi bazën për versionin modern të western-it që Wenders solli në ekran.
Atmosfera melankolike e filmit intrigohet edhe më shumë nga kolona zanore e Ry Cooder, e cila është bërë po aq ikonike sa vetë imazhet e tij.
Sot, “Paris, Texas” konsiderohet jo vetëm një klasik modern i kinemasë botërore, por edhe një nga portretizimet më poetike dhe melankolike të Amerikës në historinë e filmit.

