VIDEO/ “Shpella e Ciklopit” në Spile të Himarës, eksperiencë e re për vizitorët
Shpella e Spilesë në Himarë, një nga hapësirat më të veçanta të bregdetit shqiptar, i është nënshtruar një ndërhyrje për të rritur atraktivitetin e këtij destinacioni përgjatë gjithë vitit.
Kjo shpellë lidhet me mitin e Ciklopit të përmendur nga Homeri, para 2700 vjetësh. Ajo njihet ndryshe edhe si “Shpella e Odisesë” ose “Shpella e Ciklopit”, duke qenë se sipas mitologjisë, ky është vendi ku u ndeshën dy personazhet.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, vizitoi së fundmi këtë shpellë e cila mbart një potencial të rëndësishëm kulturor dhe turistik për zonën.
Në shpellë ka pasur një ndërhyrjeje të kujdesshme, me qëllim mbrojtjen dhe interpretimi i kësaj hapësire unike, duke krijuar mundësi që vizitorët ta përjetojnë dhe kuptojnë atë pa cenuar integritetin e saj natyror dhe historik.
Ndriçimi i pjesës së brendshme do ta bëjë shpellën të dallueshme dhe të identifikueshme edhe gjatë orëve të natës, duke krijuar një eksperiencë të re për vizitorët dhe duke e kthyer atë në një pikë referimi të rivierës.
Një komponent i rëndësishëm i projektit është edhe rikualifikimi i hapësirës përpara shpellës, Kështu do të ndërtohet një itinerar i plotë turistik dhe kulturor për sitet e zonës së Himarës, duke lidhur trashëgiminë natyrore me atë kulturore.
Ky projekt financohet nga Banka Botërore përmes Fondit Shqiptar të Zhvillimit në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, me projektim nga Cultural Heritage without Borders Albania dhe monitorim nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Vlorë.

