Homazhet për Servet Pëllumbin, Musa Ulqini: Ishte një nga kryetarët më të mençur që ka pasur Shqipëria

Në një deklaratë për mediat, ish-deputeti i Partisë Socialiste, Musa Ulqini ndau vlerësimet më të larta për figurën e ish-deputetit dhe ish0kreut të Kuvendit Servet Pëllumbi i cili u nda nga jeta ditën e djeshme në moshën 89-vjeccare.

Për mediat në përfundim të homazheve, Musa Ulqini e cilësoi Pëllumbin si një personalitet që ka lënë një gjurmë të pashlyeshme në politikën dhe jetën intelektuale shqiptare.

Sipas tij, ai do të mbahet mend si “një nga kryetarët më të mençur dhe më seriozë të Kuvendit të Shqipërisë”.

Më tej, ai theksoi se kontributi i tij shtrihet përtej angazhimit politik, pasi edhe në fund të jetës la pas një trashëgimi të pasur intelektuale.

“Si deputet, do të mbetet një nga kryetarët më të mençur, më seriozë të Kuvendit të Shqipërisë.

Edhe në fund të jetës së tij, ai la një gjurmë, sepse publikoi gati 20 vepra, duke mbetur kështu një nga njerëzit më seriozë, më të mençur, më të dashur, një profesor i vërtetë i të majtës moderne dhe i socialistëve shqiptarë.”, u shpreh Musa Ulqini.