Maliqi akuza ndaj Kreshnik Hajdarit: Ka fshehur dënimin dhe mban mandatin në shkelje të ligjit, të shkarkohet menjëherë
Ish-deputeti Lefter Maliqi ka lëshuar akuza të rënda ndaj kryetarit aktual të Bashkisë Kuçovë, Kreshnik Hajdari, duke kërkuar shkarkimin e menjëhershëm të tij nga detyra.
Sipas Maliqit, Hajdari e mban postin me një “mandat të grabitur” dhe në shkelje të ligjit, pasi ka fshehur një dënim penal të mëparshëm.
Në një prononcim për mediat, Maliqi deklaroi se kryebashkiaku Hajdari ka shkelur ligjin e dekriminalizimit duke fshehur dy herë një dënim në formularin përkatës. Ai shtoi se edhe pas një vendimi të formës së prerë nga Gjykata e Posaçme (SPAK), që sipas tij e ka dënuar Hajdarin me 150 orë punë dhe 9 muaj burg, institucionet përgjegjëse si Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe Këshilli i Ministrave nuk kanë vepruar për ta shkarkuar atë, siç e parashikon Kushtetuta.
"Ne kërkojmë në bazë të ligjit të shkarkohet Hajdari i famshëm i oligarkëve, i qeveritarëve, që vjedh taksat e banorëve të Kuçovës dhe është në një karrige me mandat të grabitur.
Jo vetëm të grabitur me vota, por edhe jashtë ligjit sepse ka qenë i dënuar. Pra, në bazë të ligjit të dekriminalizimit ka fshehur dy herë dënimin në formularin e dekriminalizimit.
Pra ka falsifikuar vulat e të gjitha me radhë, por duhet të dini dhe një gjë, edhe me vendimin e formës së prerë nga SPAK, nga Gjykata e Posaçme, që e dënoi me 150 orë punë, 9 muaj burg, edhe këtu me ndërhyrje, duhet të ishte shkarkuar me kohë nga KQZ-ja dhe nga Këshilli i Ministrave në bazë të Kushtetutës.
Por këtu nuk kemi ligj, kështu që unë, fat i madh është që kam mbiemrin Maliq, po vazhdojmë me Maliq, në mënyrë që s'dihet në një ditë ligji me Maliqin bëhen një edhe merr vesh KQZ-ja, merr vendimin e duhur, ligj me ligj bashkë. Unë do vazhdoj betejën, kam një besim të patundur që banorët e Kuçovës, do u tregoj të vërtetën.
Ai do të vëjë në pranga dhe të gjithë të tjerët sepse kanë abuzuar në mënyrë të tmerrshme me taksat e qytetarëve të Kuçovës duke e lënë në mesjetë.
Nga qyteti i parë në kohën e diktaturës, është qyteti i fundit tani, me ato rrugët gërmadha, plot qen e plot plehra, apo me treg si ka ndarë, muze gërmadhë, e shumë e shumë gjëra të tjera të lënë si në mesjetë për shkak të tenderave korruptivë.
Miliona euro që janë denoncuar në SPAK dhe ende SPAK-u vazhdon procedurat siç e patë edhe dje, me fjalë duan të mbyllin krimin elektoral, shtyhen përsëri procesin gjyqësor. Por nuk i ndahem deri në fund. Unë kam bindje totale që 2027-ën do t'ju kthejë fitoren e merituar nga mandati i grabitur, nuk u çuam të lënë si mesjetë nga këta, nga këta oligarkë, banditë që rrëmbyen mandatin", u shpreh Maliqi.
