Lamtumira për Servet Pëllumbin/ Hajdari: Filozofi i së majtës evropiane, një busull për politikën
Bota e politikës dhe akademisë shqiptare i ka dhënë lamtumirën e fundit profesor Servet Pëllumbit, një prej figurave më të shquara të së majtës shqiptare.
Në ceremoninë e përcjelljes, prefekti i Tiranës, Shkëlqim Hajdari e cilësoi si “filozofi i së majtës evropiane”, një intelektual dhe politikan që la pas një trashëgimi të pasur parimesh dhe vlerash.
" Profesor Servet Pëllumbi bëri një jetë të gjatë dhe përfundimisht mbetet filozofi i së majtës evropiane, i cili në dallgë që ka kaluar gjithë politika shqiptare, përfshirë dhe politikën e majtë, ka ditur të jetë një politikan vizionar, një intelektual i jashtëzakonshëm, një politikan i urtë, me parime të forta politike.
Në dallgët në të cilat ka kaluar, partia që ai bëri pjesë, gjithë jetën, ishte pjesa e logjikshme, pjesa e moralshme, pjesa parimore.
Ju e shikoni dhe sot që në përcjelljen e profesor Servet Pëllumbit ka shumë njerëz, ka shumë politikanë, jo vetëm nga e majta, por edhe nga e djathta, edhe intelektualë, edhe qytetarë, sepse jeta politike e Servet Pëllumbit, po edhe jeta si qytetar i Tiranës është një model, i cili frymëzon dhe është një busull për të gjithë politikanët e rinj, të cilët merren me politikë. Shembulli i tij është që politika duhet t'i shërbejë qytetarëve, duhet t'i shërbejë atdheut, duhet t'i shërbejë kombit.
Ndaj nuk më mbetet gjë tjetër vetëm se të them që lamtumirë profesor Servet Pëllumbi dhe e gjithë veprimtaria e tij politike, kulturore, edhe më gjerë, do mbetet një thesar i madh për të gjithë politikën shqiptare dhe veçanërisht për të majtën në Shqipëri", u shpreh Hajdari.