Çmimi i naftës, “Ligjet” miratojnë uljen e akcizës me 20%
Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike miratoi sot aktin normativ për uljen e akcizës në masën 20% në rastet kur ka një rritje të çmimeve në tregjet ndërkombëtare të hidrokarbureve, e cila përkthehet në një çmim të lartë të tregjeve në pakicë.
Zëvendësministri i Financave, Andi Mehmeti tha gjatë fjalës së tij se në një situatë të karakterizuar nga rritja e çmimeve ndërkombëtare të hidrokarbureve, e ndikuar nga tensionet në Lindjen e Mesme, qeveria ka propozuar masa lehtësuese për të mbrojtur konsumatorët nga rritja çmimit të karburanteve.
Sipas Mehmetit, ndërhyrja synon të stabilizojë tregun dhe të mbajë nën kontroll çmimet me pakicë të benzinës dhe naftës, përmes një kombinimi të vendosjes së çmimeve tavan dhe uljes së taksave.
Mehmeti theksoi se në rast se çmimi i benzinës tejkalon 200 lekë për litër dhe ai i naftës 220 lekë për litër, do të aplikohet ulje e akcizës në masën 20% të nivelit aktual.
“Konflikti aktual në Lindjen e Mesme ka sjellë si pasojë rritjen e çmimeve ndërkombëtare të produkteve hidrokarbure. Vende të ndryshme të BE-së por edhe vendet e rajonit, kanë marrë masa të ndryshme masash lehtësuese dhe monitoruese, përfshi përcaktimin e niveleve tavan të çmimeve si dhe uljen e nivelit të akcizës së nënprodukteve të naftës.
“Bordi i Transparencës, i cili është struktura për përcaktimin e çmimeve tavan, si masa e parë e adresimit të kësaj situate. Synimi i këtij akti normativ është në fakt të prezantojnë masën e dytë të adresimit të situatës emergjente me ulje të nivelit të akcizës në rastet kur ka një rritje të çmimeve në tregjet ndërkombëtare e cila përkthehet në një çmim të lartë të tregjeve në pakicë.
“Me anë të këtij akti normative është vendosur se në rastet kur në bazë të vendimit të Bordit të Transparencës dhe kufizimit të përkohshëm të çmimeve të tregtimit me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve e të naftës dhe gazit çmimi tavan për shitjen me pakicë për benzinën dhe gazoilin është mbi nivelet e mëposhtme 200 lekë litri për benzinën dhe 220 litri për gazoilin, atëherë niveli i akcizës të këtyre produkteve zbatohet në masën 80% të niveleve të caktuara në shtojcën nr. 1 të ligjit 61/2012”, tha Mehmeti.
Aktualisht, akciza për benzinën është 39,7 lekë për litër, ndërsa me ndryshimet e propozuara ajo do të ulet në rreth 31,5 lekë për litër. Kjo përkthehet në një ulje prej rreth 7,3 lekë për litër.
“Benzina e ka nivelin e akcizës 31,5 lekë për litër. Pra për të mbrojtur konsumatorët final të këtyre produkteve dhe siguruar mbajtjen nën kontroll të sigurimit të shitjeve me pakicë të karburantit nga një rritje e lartë e çmimeve të bursës është propozuar që niveli i akcizës, gjatë kohëzgjatjes së situatës së veçantë të ulet me 20% të nivelit të përcaktuar me ligj. Pra nga 39,7 lekë litri të ulet me rreth 7,3 lekë litri dhe për gazoilin mbi 220 lekë litri”, tha ai.
Mehmeti shtoi se “ulja e nivelit të akcizës gjithashtu ndikon dhe me uljen e TVSH-së, llogaritur në momentin e importimit me rreth 1,58 lekë për litër që do të thotë në total se janë 9,5 lekë litri ulje taksash të cilat automatikisht do të ndikojnë në uljen e çmimit”.
Zëvendësministri shtoi se çmimi tavan është tejkaluar vetë dy herë në datat 3 dhe 8 prill që është aplikuar edhe ulja e akcizës për naftën prej 20%.
Ai tha se efekti pozitiv që pati rritja e çmimit të karburantit ishte rritja e të ardhurave me 553 milionë lekë, ndërsa ulja e akcizës solli humbje me 37 milionë lekë.
“Efekti pozitiv është 553 milionë lekë të ardhura shtesë, por ka pasur edhe rritje të sasisë së importuar në konsum me rreth 2 mijë tonë në konsum, ose 3% më shumë krahasuar me marsin e 2025-ës. Pra gjatë kësaj periudhe efekti total pozitiv ka qenë 553 milionë lekë. Ndërkohë nga pjesa e akcizës, pra efekti negativ që është humbur nga akciza për këtë periudhë është vetëm 37 milionë lekë, nga ulja në 20%”, tha Mehmeti.

