"Ekonomia" miraton projektligjin për identifikimin elektronik dhe portofolin e identitetit digjital

Komisioni për Ekonominë, Punësimin dhe Financat shqyrtoi sot në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi projektligjin “Për identifikimin elektronik, shërbimet e besuara dhe portofolin e identitetit digjital”, duke e miratuar atë në tërësi.

Gjatë prezantimit, zëvendësministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enkeleda Muça, theksoi se projektligji vendos për herë të parë një kuadër të unifikuar për identifikimin elektronik në vend, në funksion të procesit të integrimit evropian.

Sipas saj, projektligji përfshin një gamë të gjerë shërbimesh, duke nisur nga nënshkrimi elektronik, vulat elektronike dhe vulat kohore, deri tek arkivimi elektronik, autentifikimi i faqeve të internetit dhe vërtetimi elektronik i atributeve.

“Ky portofol do t’i japë çdo qytetari një mjet të centralizuar për të menaxhuar të dhënat personale dhe për të aksesuar shërbime publike dhe private në mënyrë të sigurt dhe të shpejtë”, u shpreh Muça.

Ajo shtoi se projektligji përcakton rregulla të qarta për ofruesit e shërbimeve të besuara, duke rritur standardet e sigurisë dhe përgjegjshmërisë, si dhe duke mundësuar njohjen ndërkufitare të këtyre shërbimeve në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian. Projektligji mbulon gjithashtu proceset nga identifikimi elektronik deri te mbikëqyrja dhe kundërvajtjet administrative.

Relatori i projektligjit, Olsi Qose, u shpreh se nisma synon të rrisë lehtësinë dhe sigurinë për qytetarët, duke zgjeruar gamën e shërbimeve digjitale dhe të transaksioneve. Ai theksoi se përdorimi i portofolit të identitetit digjital nuk është i detyrueshëm dhe qytetarët nuk penalizohen nëse nuk zgjedhin ta përdorin atë.

Sipas Qoses, portofoli digjital është konceptuar të jetë i aksesueshëm për të gjithë, përfshirë edhe qytetarët me aftësi ndryshe.

Projektligji parashikon edhe kostot për ndërtimin dhe funksionimin e sistemit, të cilat arrijnë në rreth 703,4 milionë lekë për një periudhë 10-vjeçare, ose mesatarisht 70,3 milionë lekë në vit. Nga këto, rreth 271,6 milionë lekë janë planifikuar për mirëmbajtjen, ndërsa 431,8 milionë lekë për certifikimet ndërkombëtare dhe standardet e sigurisë.

Muça nënvizoi se portofoli digjital do të zbatohet mbi baza vullnetare dhe garanton nivele të larta sigurie dhe mbikëqyrjeje, në përputhje me standardet evropiane të sigurisë kibernetike.

Pas diskutimeve, Komisioni e miratoi projektligjin në tërësi, duke ia kaluar atë për shqyrtim në seancë plenare.