Kush është Bujar Gazheli që pastron para me Euro Beton? Karteli i kompanive nga barnat, arsimi tek ndërtimi (DOKUMENTET)
Gjykata e Tiranë ka pranuar kërkesën e Prokurorisë për sekustrimin si aset kriminal të kompanisë EURO – BETON 2005 shpk, e cila rezulton e përfshirë në pastrim parash, skema mashtrimi dhe fshehje të të ardhurave.
E skeduar si ‘betonieria’ kryesore në Tiranë e pastrimit të parave të drogës, korrupsionit dhe skemave mashtruese, vendimi për sekustrimin e kompanisë EURO – BETON 2005 është marrë në 24 prill 2026.

Prokuroria e Tiranës nisi një hetim disamujor për aktivitetin e dyshuar kriminal të kompanisë Euro Beton 2005 pas sinjalizimit nga organet ligjzbatuese shqiptare dhe partnere. Hetimi ka zbuluar pastrimin e dhjetëra milionë eurove, një skemë disavjeçare mashtrimi, evazion fiskal etj., vepra penale të kryera nga një grup i dyshuar kriminal, por që megjithatë dosja nuk është referuar për komptencë në SPAK.
Edhe pse pronarët e kompanisë rezultojnë mbulesë e parave të grupeve të rrezikshme kriminale, SPAK është mbajtur larg kësaj dosje. Jo vetëm kaq. Por, edhe lajmi i sekuestrimit nuk është bërë publik, ndërsa drejtuesit e kompanisë jo vetëm që i kanë shpëtuar arrestimit, por vijojnë aktivitetin kriminal, sidomos duke mashtruar biznesmenë të ndryshëm.

Pas kompanisë Euro Beton 2005 qëndrojnë italianët Pietro Telesca dhe Giovanni Battista Telesca (Giovanni i Euro Beton), i njohur si një prej mashtruesve më të famshëm në Tiranë. Giovanni Battista Telesca rezulton nga hetimi se ka mashtruar një numër biznesmenësh në Tiranë, duke u zhvatur miliona euro, ndërsa është personazhi kyç që mban lidhjet me grupet kriminale për pastrimin e parave në ndërtim.

Ortakët shqiptarë janë Arjan Ormenaj dhe Bujar Gazheli, ky i fundit i lakuar si mik i Edi Ramës, përfitues i dhjetëra milionë euro para publike në shëndetësi, përmes kompanisë kompaninë Albanian Medical Distributor (AMD), derivat i një kompania të dyshimtë italiane.
Kush është Bujar Gazheli?
Biznesmeni Bujar Gazheli dyshohet se është personazhi kyç që qëndron pas kompanisë EURO – BETON 2005, e cila sipas dosjes së Prokurorisë ka shërbyer si hinkë e parave të pista. Bujar Gazhelit, qëndron pas një grupi farmaceutik italo-shqiptar, kamufluar me kompaninë Albanian Medical Distributor.

Gazheli është themelues dhe aksioner edhe i kompanisë ECOBI ALBANIA, bashkë me italianin Giuseppe Paolo Lungaro. Kompania kamuflon një depo farmaceutike. Që të dyja kompanitë kanë 10 vite që nuk publikojnë bilance të veprimtarisë në tatime, duke ngritur dyshime të forta rreth aktivitetit të tyre.

Në vitin 2025, Gazheli u lakua si njeriu i paracaktuar nga Edi Rama për të marrë koncensionin e shërbimit të hemodializës. Bujar Gazheli i Euro Beton ka themeluar edhe kompaninë e import eksport të barnave dhe produkteve parafarmaceutike FOUR PETALS.

Bujar Gazheli qëndron edhe pas kompanisë së ndërtimit ACHC group (Albanian Civil & Healthcare Construction Group). Kompania është themeluar në vitin 2015 me emrin ALBANIAN HOSPITAL SERVICE, ndryshuar në ACHC group, përmes të cilës janë ndërtuar disa pallate në Tiranë.

Bujar Gazheli është aksioner edhe në kompaninë tjetër të ndërtimit SEFBI KONSTRUKSION, themeluar në vitin 1999. Edhe kjo kompani rezulton që nuk ka publikuar bilance të aktivitetit prej 10 vitesh.

Bujar Gazheli qëndron edhe pas kompanisë së ndërtimit dhe gërmimeve DAMASO, themeluar në vitin 2005. Gjithashtu, Gazheli është edhe pronar i shkollës LYCEE FRANCAIS JULES VERNE në Tiranë, përmes kompanisë École Française Jules Verne.

Aksioneri i kompanisë së pastrimit të parave Euro Beton 2005 është gjithashtu pronar i kompanisë Ecole Française “NOTRE DAME”, me objekt veprimtarie në fushën e edukimit të fëmijëve si institucionin arsimor parashkollor, deri në mbarimin e ciklit të shkollës së mesme. Kompania e themeluar në vitin 2011 rezulton pa aktivitet. Gazheli është aksioner edhe tek kompania e ndërtimit.
Ortaku Arjan Ormenaj i skeduar për pastrim parash
Arjan Ormenaj është skeduar si personazhi kyç që pastron paratë grupit kriminal Çopja, i goditur nga SPAK. Nga verifikimet rezulton se kompanitë ‘Elba Beton” dhe “Elba Import”, të themeluara nga anëtari i grupit kriminal Çopja, Arben Lamçja alias Dobrova, rezultojnë se kanë kaluar në emrin e biznesmenit Arjan Ormenaj.

Sipas dosjes së Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Arjan Ormenaj, i cili sot është edhe administrator i të dyjave kompanive, dyshohet se mbulonte kompanitë e Arben Lamçes, me të cilat pastroheshin paratë e veprimtarisë kriminale, shfrytëzim prostitucioni, trafik kokaine dhe vrasje me pagesë.
Kompanitë ‘Elba Beton” dhe “Elba Import”, sot në emrin e Arjan Ormenaj rezulton se kanë qarkulluar dhjetëra miliona euro, para të dyshuara se janë injektuara në këto kompani nga aktiviteti kriminal. Arjan Ormenaj menaxhon një kartel kompanish me veprimtari të dyshimtë, ndërsa posedon në emrin e tij restorante, lokale, apartamente dhe biznese dhjetëra milionë euro nga Elbasani në Tiranë.

Arjan Ormenaj ka hyrë në transaksione dhe i ka blerë aksione edhe Bekim Halilaj, një personazh i njohur i aferave korruptive të Ilir Metës. Arjan Ormenaj ka përfituar edhe koncesione për hidrocentrale, ndërsa po ndërton në Qerret të Kavajës me disa kompani në emrin e tij. Arjan Ormenaj nuk është biznesmeni i vetëm i cili dyshohet se mbulon pasuritë dhe bizneset e grupit kriminal Çopja. Grupi kriminal për vite me radhë ka arritur të rekrutojë gjyqtarë, policë, prokurorë etj., duke blerë drejtësinë dhe duke i shpëtuar veprimit të ligjit./Marrë nga "Prapaskena"




