Bizneset në rritje në 2026 / Qarkullimi arrin 931 miliardë lekë, mbi 6 mijë biznese të reja në vetëm 3 muaj

Tremujori i parë i vitit 2026 ka sjellë një ecuri pozitive për bizneset në vend, me më shumë të ardhura dhe rritje të aktivitetit ekonomik.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, qarkullimi total i bizneseve arriti në 931 miliardë lekë, ose rreth 9.3 miliardë euro.

Kjo është rreth 60 miliardë lekë më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Rritja lidhet kryesisht me konsum më të lartë në vend, performancë më të mirë të sektorit të shërbimeve dhe tregtisë, si dhe me deklarimin më të saktë të të ardhurave nga bizneset.

Në rritje është edhe numri i bizneseve aktive, që ka arritur në 143,875, rreth 5% më shumë se një vit më parë. Vetëm në tre muajt e parë të vitit janë hapur mbi 6 mijë biznese të reja, një rritje me 12%.

Edhe të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se shumica e bizneseve kanë punuar me fitim dhe kanë rritur shitjet, sidomos në sektorin e tregtisë dhe te ndërmarrjet e mëdha.

Megjithatë, bizneset vazhdojnë të përballen me vështirësi si rritja e kostove, konkurrenca e fortë dhe mungesa e fuqisë punëtore.