SIGURIA NË SEZONIN TURISTIK/ Radonshiqi: Sensibilizimi i qytetarëve është kyç, një cigare e hedhur mund të djegë një zonë të tërë
Në një lidhje direkte për Ora News, ekspertja e ekonomisë Romina Radonshiqi foli për situatën mjedisore në vend dhe ndikimin që ndotja dhe zjarret mund të kenë në sezonin turistik.
Ajo u shpreh se pakujdesia e qytetarëve, si hedhja e mbeturinave apo një cigare e fikur në mënyrë të gabuar, mund të sjellë pasoja të mëdha, deri në djegien e sipërfaqeve pyjore. Sipas saj, situata kërkon ndërhyrje më të fortë nga institucionet, por edhe më shumë kujdes nga vetë qytetarët.
“Edhe një veprim i vogël mund të shkaktojë një problem shumë të madh, deri në djegien e një zone të tërë. Duhet kujdes dhe masa më të forta nga institucionet.”-shtoi Radonshiqi.
Ajo shtoi se është e nevojshme zbatimi më i rreptë i gjobave për ndotësit dhe forcimi i kontrolleve në terren, veçanërisht gjatë sezonit turistik, kur rreziku për zjarre rritet.
Në fjalën e saj u përmend edhe rëndësia e sensibilizimit të qytetarëve dhe turistëve, duke sjellë si shembull një nismë të mëparshme në Durrës ku të rinjtë angazhoheshin për ndërgjegjësim në bregdet.
“Duhet sensibilizim i vazhdueshëm. Të rinjtë mund të luajnë një rol të rëndësishëm në edukimin e qytetarëve dhe turistëve për mbrojtjen e mjedisit.”-tha ajo.
Ajo theksoi gjithashtu se siguria në zonat turistike mbetet një tjetër shqetësim, duke përmendur mungesat në infrastrukturë dhe nevojën për më shumë roje bregdetare gjatë sezonit.
Në fund, u vlerësua se mbarëvajtja e sezonit turistik kërkon bashkëpunim mes institucioneve dhe qytetarëve, për të shmangur ndotjen dhe rreziqet nga zjarret.
NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË NË ORA NEWS:

