VIDEO/ “Zhvatën” miliona euro nga nafta e shqiptarëve, administratorët e “Bankers” futen në SPAK
Administratorët e kompanisë “Bankers” janë paraqitur këtë të hënë në ambientet e Prokurorisë së Posaçme, në zbatim të masës së sigurisë të vendosur ndaj tyre të “detyrim paraqitjes”.
Kujtojmë se në korrik të vitit të kaluar Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ndërmori një aksion hetimor ndaj kompanisë koncesionare “Bankers Petroleum Albania”, në kuadër të një dosjeje penale për evazion fiskal dhe pastrim parash.
Operacioni është zhvilluar në zbatim të një vendimi të Gjykatës së Fierit, e cila ka autorizuar kontrolle në ambiente të lidhura me aktivitetin e kompanisë.
Gjithashtu gjykata do të caktonte masa sigurie dhe për disa prej drejtuesve të saj aktualë dhe të mëparshëm.
Në kuadër të këtij aksioni, u vunë në pranga:
- Leonidha Çobo, ish-administrator i kompanisë,
- Hongping Xiao, shtetas kinez me detyrë drejtor pranë kompanisë.
Gjithashtu, do të ndalohej një tjetër shtetas shqiptar, identiteti i të cilit nuk bëhet ende i ditur.
Në atë kohë u raportua se hetimet ishin fokusuar në skemat e dyshuara të shmangies të detyrimeve tatimore dhe transaksioneve që dyshohet se synojnë pastrimin e parave.
Bankers Petroleum është akuzuar në të kaluarën nga Drejtoria e Tatimeve se nuk ka likujduar detyrimet fiskale ndaj shtetit.
Gjithashtu, Bankers akuzohet prej një kohe të gjatë për ndotjen që shkakton në zonë si rezultat i aktivitetit naftënxjerrës, pa respektuar standardet.

