Raporti në Kuvend/ KSHC: Mbi 1200 emërime në Administratë në shkelje të procedurave ligjore

205 institucione përfshirë ministri dhe institucione të varësisë por edhe bashki iu nënshtruan kontrolleve të Shërbimit Civil gjatë vitit të shkuar.

Në raportin e paraqitur në Kuvend thuhet se nga 12976 punësime të konstatuara 1279 emërime janë kryer pa respektuar procedurat ligjore që përbëjnë rreth 7 për qind të totalit.

Megjithatë institucionet e pavarura rezulton se nuk kanë pasur shkelje. Nga ana tjetër 2088 pozicione pune kanë mbetur të lira.

Në bashki janë 1016 emërime të konsideruara të paligjshme dhe kryesisht në ato të mëdha që kanë staf më të lartë. Prej tyre kryeson Kavaja me 106 raste e më tej Vau i Dejës me 85 të tilla.

Sipas dokumentit në vitin 2025 ka pasur një rritje me 2.3 për qind të firmosjes së kontratës së punësimit në kundërshtim me ligjin. Nisur nga ku faktor kërkohet një monitorim edhe më i shtuar për të frenuar fenomenin.

Sa u përket lirimeve nga Shërbimi Civil edhe këtu vihet re ndikimi i lëvizje nga një qytet në tjetrin apo dhe emigrimi është shoqëruar me dorëheqjet.

 Janë 359 të rasteve të dorëheqjeve nga detyra në vitin e shkuar ndërsa 202 persona janë pezulluar nga detyra.

Sa i përket ndarjes gjinore në shërbimin civil evidentohet se 58 për qind të të angazhuarve e zënë gratë dhe 42 për qind burrat.

Raporti pritet të nisë të diskutohet në komisionet parlamentare e më tej në seancë ku dhe do të miratohen rekomandime.