SI SOT PARA 6 VITESH/ Miliona për oligarkun dhe "shuplakë" shqiptarëve që luftonin me COVID-in (DOKUMENTET)

Në vitin 2020, një nga tenderët më të çuditshëm dhe më të diskutuar ka kaluar pa shumë vëmendje, ndërsa Shqipëria ishte e kapluar nga pandemia e COVID-19.

Pasi kishte përfituar qindra miliona lekë nga tendera të shumtë, Nikolin Jaka, një emër tashmë i njohur në botën e biznesit, merr një tjetër “llokmë” të madhe: rreth 975 milionë lekë të vjetra pa TVSH.

Por, për çfarë i merr këto para?

Jo për të ndërtuar ndonjë infrastrukturë, por për t’u bërë kuzhinier në Spitalin e Vlorës. Ky tender, i shpallur më 12 mars 2020, kur të gjithë ishin të mbyllur në karantinë, kaloi pa asnjë lloj shqetësimi.

Kompania fituese e këtij tenderi ishte “SORI-AL” SH.P.K., e cila drejtohet nga Alma Tafani, ish-bashkëshortja e Nikolin Jakës.

Kompania e tij, me seli në Tiranë, ka fituar një kontratë për 4 vjet me një vlerë astronomike vetëm për të përgatitur dhe shpërndarë ushqimin për të sëmurët në spitalin e Vlorës.

E çuditshmja është se stafi i mëparshëm i kuzhinierëve të spitalit është pushuar nga puna, duke lënë vend për kuzhinierët e Nikolin Jakës.

A mund të ketë ndodhur ky vendim pa ndonjë ndikim të jashtëzakonshëm?

Siç duket, kjo histori është vetëm një pjesë e një mozaiku më të gjerë. Kompania "SORI-AL" SH.P.K. ka përfituar dhjetëra milionë euro nga taksat e shqiptarëve gjatë periudhës 2014-2020, duke krijuar dyshime dhe shqetësime për transparencën dhe konkurrencën në proceset e tenderëve.

Por, përfundimisht, Nikolin Jaka ka mbushur sërish xhepat, ndërsa populli mbetet i varfër dhe i pafuqishëm. Si gjithmonë, ai që fiton është ai që ka lidhje dhe mundësi, ndërsa të tjerët munden vetëm të shohin./JOQ Albania