Koçiu: Sezoni turistik në Himarë premton të thyejë çdo rekord

Himara ka çelur zyrtarisht sezonin turistik veror 2026 me një program treditor aktivitetesh kulturore, sportive dhe argëtuese, të organizuara nga bashkia në zonat kryesore bregdetare të qytetit.

Aktivitetet që zhvillohen në datat 1, 2 dhe 3 maj, përfshijnë koncerte, panaire, evente për fëmijë, aktivitete sportive, kinema në natyrë, festivale dritash, si dhe sporte ujore si kajak dhe zhytje.

Programi synon të promovojë Himarën si destinacion turistik për të gjitha grupmoshat dhe për vizitorë vendas e të huaj.

Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu ndau pamje nga Himara, ku sipas saj, sezoni turistik premton të thyejë çdo rekord.

“Një udhëtim mes historisë, traditës, kaltërsisë së Jonit dhe shijeve autentike shqiptare. Ky sezon i ri e gjen Himarën më të bukur se kurrë, me investime që respektojnë bukuritë e saj natyrore dhe me një vëmendje të shtuar për të ofruar shërbime cilësore për çdo vizitor, sepse ne besojmë fort se çdo turist është një mik që i shton ngjyra kësaj vere. Dielli këtë sezon shkëlqen më shumë se kurrë në Himarë”, u shpreh Koçiu.

Himara mbetet një nga destinacionet më të preferuara të bregdetit shqiptar, falë plazheve si Livadhi, Spile, Potami, Llamani dhe Filikuri, si dhe kombinimit të turizmit detar me natyrën, kulturën dhe traditën vendase.

Zgjerimi i ofertës turistike përtej sezonit tradicional të verës, synon ta kthejë Himarën në një destinacion të vizitueshëm gjatë gjithë vitit.