Tension në rritje në Gjirin Persik/ SHBA dhe vendet e Gjirit kërkojnë rezolutë në OKB kundër Iranit
SHBA dhe disa vende të Gjirit Persik po përgatisin një rezolutë të re në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, me qëllim dënimin e Iranit për veprimet e tij në Ngushticën e Hormuzit.
Sipas përfaqësuesit amerikan në OKB, Mike Waltz, negociatat për draftin pritet të zhvillohen gjatë kësaj jave.
Rezoluta kërkon rritjen e presionit ndërkombëtar ndaj Teheranit për ndalimin e sulmeve ndaj anijeve dhe çdo veprim që kufizon lundrimin në këtë zonë strategjike.
Dokumenti kërkon gjithashtu që Irani të ndalojë vendosjen e minave detare dhe të japë informacion për vendndodhjen e tyre, me qëllim sigurimin e lundrimit të lirë dhe të sigurt në rrugët ndërkombëtare detare.
Kjo nismë vjen pas një përpjekjeje të mëparshme të SHBA-së për një rezolutë të ngjashme, e cila u bllokua në Këshillin e Sigurimit nga Rusia dhe Kina.

