BE paralajmëron SHBA për tarifat/ Brukseli: Të gjitha opsionet janë në tryezë
Komisioni Evropian ka bërë të ditur se Bashkimi Evropian mbetet i përkushtuar për një marrëdhënie të qëndrueshme dhe të parashikueshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pavarësisht kërcënimeve të reja për tarifa nga presidenti amerikan Donald Trump.
Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Thomas Regnier, bëri të ditur se BE po vazhdon zbatimin e marrëveshjes tregtare të arritur me SHBA-në dhe është në koordinim të vazhdueshëm me Uashingtonin.
Ai shtoi se Bashkimi Evropian po e ndjek situatën me kujdes dhe, nëse do të ketë masa që nuk përputhen me marrëveshjen ekzistuese, atëherë do të shqyrtohen të gjitha opsionet për mbrojtjen e interesave të tij.
Sipas tij, nuk është hera e parë që shfaqen tensione të tilla dhe BE po fokusohet në ruajtjen e stabilitetit tregtar, në interes të bizneseve dhe qytetarëve në të dy anët e Atlantikut.
Deklaratat vijnë pas kërcënimeve të fundit për tarifa nga SHBA, të cilat u lidhën me shqetësime për zbatimin e marrëveshjes tregtare mes dy palëve, që përfshin tarifa për eksportet europiane dhe hapjen e tregut për produkte amerikane.

