Përhapja e hantavirusit/ OBSH: Rreziku për publikun i ulët

Kompania holandeze Oceanwide Expeditions pohoi se po përpiqet të menaxhojë “një situatë serioze mjekësore” në anijen MV Hondius, e cila ndodhej pranë Kepit të Gjelbër kur u shfaq raste që mendohet të jenë pasoja e virusit të përhapur nga brejtësit.

Anija me 150 pasagjerë në bord kishte rreth tre javë në det, dhe kishtë ndaluar në disa vende gjatë rrugës së saj. Drejtori rajonal i OBSH-së për Europën, Hans Kluge u shpreh se nuk është e nevojshme të diskutohet për kufizime udhëtimesh.

Ai shtoi se OBSH-ja po vepron me urgjencë për të mbështetur përgjigjen ndaj shpërthimit dhe po bashkëpunon me vendet e përfshira për të siguruar kujdes mjekësor, evakuime, hetime dhe vlerësim të rrezikut për shëndetin publik.

“Sëmundjet nga hantavirusi janë të rralla dhe zakonisht lidhen me kontaktin me brejtës të infektuar. Edhe pse mund të jenë të rënda në disa raste, nuk transmetohen lehtë nga njeriu te njeriu”, tha Kluge.

Sipas OBSH-së, testet laboratorike konfirmuan praninë e hantavirusit tek një nga gjashtë personat e prekur, dhe verifikimet po vazhdojnë.