Ambasadori i ri amerikan për Shqipërinë firmos marrëveshje etike/ Kufizon vendimmarrjen e shmang konfliktet e interesit

Kandidati për ambasador të Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Eric Wendt, ka firmosur një marrëveshje etike që përcakton rregullat që ai do të ndjekë për të shmangur konfliktet e interesit gjatë ushtrimit të detyrës.

Sipas dokumentit, ai nuk do të marrë pjesë në vendimmarrje që lidhen me interesa financiare të tij apo të personave të afërt, përfshirë familjarët dhe organizatat ku mund të ketë lidhje.

Në raste të tilla, parashikohet që ai të tërhiqet nga procesi ose të ndjekë procedurat ligjore përkatëse në SHBA.

Në marrëveshje përmendet edhe fakti se mund të ketë situata me rrezik më të lartë për konflikt interesi në raport me kompani që veprojnë në Shqipëri, për shkak të kontakteve të mundshme me ambasadën dhe vendimmarrjen e saj.

Wendt ka deklaruar gjithashtu se do të shesë aksionet e tij në Tesla brenda 90 ditëve nga konfirmimi si ambasador, si dhe do të rishikojë investimet e tjera për të shmangur situata të ngjashme në të ardhmen. Po ashtu, do të ketë kufizime në çështjet që lidhen me institucionin ku punon bashkëshortja e tij.

Marrëveshja është hartuar sipas rregullave të SHBA-së për transparencë dhe etikë në emërimet publike dhe pritet të bëhet publike pas përfundimit të procesit të konfirmimit.

Eric Wendt është propozuar për postin e ambasadorit të SHBA në Shqipëri nga Presidenti amerikan Donald Trump. Ai ka mbi 34 vite përvojë në ushtrinë amerikane dhe ka mbajtur pozicione të larta drejtuese, përfshirë edhe detyra në Lindjen e Mesme, ku ka shërbyer në strukturat e sigurisë pranë Ambasadës amerikane në Jerusalem.

Emërimi i tij duhet të kalojë më parë në Komitetin e Politikës së Jashtme në Senat dhe më pas të marrë miratimin përfundimtar nga Senati amerikan.

Shqipëria nuk ka pasur ambasador të SHBA-së që prej vitit 2023, pas largimit të Yuri Kim. Aktualisht ambasada drejtohet nga e ngarkuara me punë Nancy VanHorn.