Aeroplan i vogël përplaset me ndërtesën në Brazil, dy viktima dhe pesë në bord
Një aeroplan i vogël është rrëzuar në qytetin Belo Horizonte të Brazilit, duke u përplasur me një ndërtesë dhe më pas duke rënë në një parking pranë një kompleksi banimi.
Sipas autoriteteve lokale, në bord ndodheshin pesë persona në momentin e ngjarjes. Si pasojë e përplasjes, të paktën dy persona kanë humbur jetën.
Zjarrfikësit bëjnë të ditur se avioni fillimisht goditi një ndërtesë trekatëshe përpara se të përfundonte në zonën e parkimit.
Banorë të zonës tregojnë se avioni fluturonte shumë ulët dhe se para përplasjes është dëgjuar një zhurmë e fortë.
Disa prej tyre thonë se piloti mund të ketë tentuar të shmangte një shkollë pranë zonës, por nuk ka arritur të kontrollojë mjetin fluturues.
Autoritetet braziliane kanë nisur hetimet për të zbuluar shkaqet e sakta të aksidentit.

