Vendimi për "arrestin me burg", Kalaja: Kolegjet e Bashkuara rrëzuan Sokol Sadushin dhe alibinë për Veliajn
Avokatja Adriana Kalaja ka komentuar ditën e sotme vendimin e Kolegjeve të Bashkuara, që vendosën vetëm ndërhyrje të pjesshme dhe saktësime në vendimin e mëparshëm të praktikës së njësuar për masat e sigurisë, duke mos prishur vendimin e vitit 2011.
E ftuar në Syri Tv, Kalaja u shpreh se vendimi i sotëm rrëzoi kreun e Gjykatës së Lartë, ndërsa shtoi se një pjesë e gjyqtarëve treguan integritet profesional në vendimarrje. Ajo theksoi po ashtu se me vendimin e Kolegjeve të Bashkuara u rrëzua dhe alibia për kryebashkiakun e arrestuar të Tiranës, Erion Veliajt.
“U tentua të dalë si vendim unifikues, duke rrëzuar vendimin e 2011 dhe duke sjellë një vendim me formatim të ri që duhet të kishte sistemi gjyqësor. Unë bie dakord që përsa kohë nuk kemi të bëjmë me një vendim unifikues, Sokol Sadushi u rrëzua. Një pjesë e madhe e atyre gjyqtarëve kanë treguar integritet profesional. Tashmë edhe më shumë duhet t’i mëshohet integritet moral dhe profesional të magjistratëve. Për sa kohë ky vendim e ka thënë që duhet një analizë specifike rast pas rasti, për sa kohë nuk kemi asnjë ndryshim të vendimit unifikues të 2011 por aq më shumë që gjërat që u thanë sot janë të përcaktuara në Kodin e Procedurës Penale. Sot ky vendim lehtësoi dhe punën e avokatit mbrojtës, sepse tha që provat për ndryshim apo lehtësim mase, duhet të kalojnë nëpërmjet prokurorisë. U rrëzua dhe alibia për Erion Veliajn, se duhet të kalojë nëpërmjet Olsi Dados, për ta ngarkuar pak situatën. Kanë bërë dhe një hop të ri me këtë vendim. Ne nuk kemi të parashikuar në ligj që vendimet unifikuese janë vendime saktësuese apo qartësuese. Vendimet saktësuese apo qartësuese janë ato kur shoikohet që një vendim i gjykatës është me të meta apo nuk ka asgjë të qartë. Këtu kishim vetëm momentin ku duhet të unifikohej mënyra se si vendosej arresti me burg. Për sa kohë prej vitesh kemi vetëm rrëzime të rekurseve nuk mund të ndryshohet qasja e kryetarit të Gjykatës së Lartë. Në jemi qartësisht me një nocion të parapërgatitur që ne duhet të shkonim me një vendim unifikues për teë lehtësuar masën e arrestit kryesisht zyrtarëve të lartë. Sot shprehimisht Sokol Sadushi është rrëzuar. Jemi në situatën që qoftë me integritetin moral apo professional, gjykatat kanë kushtet që të japin vendime të drejta dhe proporcionale qoftë me autorin e veprës penale apo me veprën penale”, u shpreh Kalaja.
