Skandal në Evropë/ Arrestohet 39-vjeçari që helmoi ushqimin për foshnje për të zhvatur kompaninë gjermane

Një burrë 39-vjeçar është arrestuar në Austri, pasi dyshohet se ka vendosur helm për minj në ushqim për foshnje, me qëllim zhvatjen e parave nga kompania gjermane HiPP.

Sipas autoriteteve në Eisenstadt, ai dyshohet se ka ndërhyrë në disa produkte që janë shpërndarë në vende të ndryshme evropiane. Deri tani nuk janë bërë publike të dhëna për identitetin e tij apo motivet e plota.

Hetimet kanë zbuluar pesë kavanoza të kontaminuara në Austri, Republikën Çeke dhe Sllovaki. Në një prej tyre, me përmbajtje karrota dhe patate, është gjetur një sasi e vogël helm për minj.

Një tjetër kavanoz është ende nën verifikim, ndërsa autoritetet po kontrollojnë nëse ka produkte të tjera të prekura.

Kompania HiPP ka bërë të ditur se problemi nuk lidhet me procesin e prodhimit, por me një ndërhyrje të jashtme. Sipas saj, personi i dyshuar kishte dërguar më herët një mesazh ku kërkonte para në këmbim të ndalimit të veprimeve.

Pas këtij mesazhi, kompania ka njoftuar policinë dhe ka aktivizuar masat e sigurisë dhe menaxhimit të krizës.

Hetimet po vazhdojnë për të sqaruar plotësisht ngjarjen dhe për të siguruar që nuk ka rrezik për konsumatorët.