Vendimi i SHBA për tërheqjen e 5,000 trupave/ Bundestagu: Evropës i duhet më shumë përgjegjësi për sigurinë

Në Gjermani ka reagime të shumta pas njoftimit për planin e Shteteve të Bashkuara për të tërhequr rreth 5,000 trupa ushtarake nga territori gjerman brenda 6 deri në 12 muajve.

Kryetari i Komitetit të Mbrojtjes në Bundestag, Thomas Rowekamp, e ka cilësuar këtë zhvillim si një “thirrje zgjimi”, por jo si arsye për panik.

Sipas tij, siguria brenda NATO-s nuk mund të trajtohet si një marrëveshje tregtare dhe vendimet e SHBA-së po sjellin nevojën që Evropa të marrë më shumë përgjegjësi për mbrojtjen e saj.

Ai shton se Gjermania dhe partnerët europianë duhet të forcojnë kapacitetet e tyre ushtarake dhe të mos varen në mënyrë të plotë nga prania amerikane në kontinent.

Nga ana tjetër, përfaqësues të Partisë së Gjelbër në Bundestag kërkojnë një reagim të koordinuar në nivel evropian, duke theksuar se Evropa duhet të tregojë edhe vetë peshën e saj në raport me Shtetet e Bashkuara.

Brenda CDU-së, disa ekspertë të politikës së jashtme e shohin vendimin më shumë si pjesë të planeve afatgjata ushtarake sesa si një masë ndëshkuese ndaj Gjermanisë.

Megjithatë, ka edhe shqetësime se ky hap mund të ndikojë në besueshmërinë e mbrojtjes kolektive të NATO-s, sidomos në rast të një sulmi të mundshëm në Evropë.

Aktualisht, rreth 38,000 trupa amerikane janë të stacionuara në Gjermani, që përbëjnë kontingjentin më të madh të forcave amerikane në Evropë.

Plani i tërheqjes vjen në një moment tensionesh politike mes Uashingtonit dhe Berlinit, të lidhura edhe me dallime që kanë dalë për çështje ndërkombëtare dhe qasjen ndaj Iranit.