SHBA tërheq 5,000 trupa nga Gjermania/ The New York Times: Lëvizja lidhet me qëndrimin e Berlinit ndaj Iranit

Sipas mediave amerikane, zyrtarë ushtarakë në SHBA kanë bërë të ditur se vendimi për të tërhequr rreth 5,000 trupa amerikane nga Gjermania lidhet me pakënaqësinë e Uashingtonit ndaj qëndrimit të Berlinit për Iranin.

Burime të cituara nga The New York Times thonë se brenda administratës amerikane kjo lëvizje shihet si një formë presioni ndaj Gjermanisë, pasi ajo nuk ka mbështetur plotësisht operacionet e SHBA-së ndaj Iranit dhe ka kritikuar veprimet ushtarake.

Pentagoni ka bërë të ditur më herët se reduktimi i pranisë ushtarake në Gjermani do të realizohet brenda 6 deri në 12 muaj.

Presidenti amerikan Donald Trump ka folur më parë për mundësinë e uljes së numrit të trupave amerikane edhe në Itali dhe Spanjë.

Kjo ka ardhur në një kohë kur kancelari gjerman Friedrich Merz ka shprehur kritika ndaj politikës së SHBA-së për Iranin, duke vënë në dyshim strategjinë e saj.

Trump ka reaguar gjithashtu ndaj deklaratave të Merz, duke e akuzuar për qëndrime që, sipas tij, nuk janë të favorshme për sigurinë ndërkombëtare.