Irani përgatit ligj të ri për Ngushticën e Hormuzit, planifikon kufizime për anijet e shteteve “armike”
Irani po përgatit një projektligj të ri që synon të vendosë rregulla më të ashpra për kalimin e anijeve në Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme të transportit të naftës në botë.
Sipas nënkryetarit të parlamentit iranian, Hamidreza Haji-Babaei, drafti parashikon kufizime për anijet që vijnë nga disa vende të cilësuara si “armike”, përfshirë edhe Izraelin.
Në disa raste, kalimi mund të lejohet vetëm nëse paguhen dëmshpërblime të lidhura me konfliktet.
Projektligji parashikon gjithashtu që çdo anije tjetër të kalojë në këtë zonë vetëm me leje dhe autorizim nga autoritetet iraniane.
Teherani ka bërë të ditur se nuk synon rikthimin e kushteve të mëparshme të lundrimit në këtë ngushticë strategjike, duke sinjalizuar një kontroll më të fortë mbi trafikun detar në zonë.

