Kina sfidon SHBA-në/ Nuk i njeh sanksionet ndaj rafinerive të lidhura me naftën iraniane

Kina ka bërë të ditur se nuk do të zbatojë sanksionet e fundit të vendosura nga Shtetet e Bashkuara ndaj pesë kompanive kineze të përfshira në tregtinë e naftës iraniane.

Ministria kineze e Tregtisë ka reaguar duke thënë se këto masa nuk do të njihen dhe nuk do të zbatohen në territorin kinez, duke i cilësuar si kufizime të padrejta ndaj aktivitetit normal ekonomik dhe tregtar të kompanive të saj.

Sipas Pekinit, sanksionet amerikane bien ndesh me rregullat ndërkombëtare dhe nuk kanë bazë ligjore të pranueshme.

Kina mbetet një nga blerëset kryesore të naftës iraniane, kryesisht përmes rafinerive private që furnizohen me çmime më të ulëta nga Irani. Nga ana tjetër, Uashingtoni po shton presionin ndaj Teheranit duke goditur rrjetin e këtyre kompanive, me qëllim uljen e të ardhurave të tij nga nafta.

Sanksionet e fundit përfshijnë disa kompani të mëdha të rafinimit në provincën Shandong dhe zona të tjera të Kinës, ndërsa SHBA ka vendosur masa të reja edhe ndaj një tjetër kompanie kineze të përfshirë në importin e naftës iraniane.