WSJ: Lufta në Iran si “laborator” për superfuqitë, Kina dhe Rusia analizojnë çdo lëvizje të ushtrisë amerikane

Konflikti në Iran po ndiqet nga afër jo vetëm për zhvillimet në terren, por edhe për atë që po u tregon fuqive të mëdha mbi luftën moderne. Sipas raportimit të Wall Street Journal, Kina dhe Rusia po e shohin këtë situatë si një mundësi për të analizuar nga afër aftësitë dhe dobësitë e ushtrisë amerikane.

Në fokus janë mënyrat se si SHBA po përdor teknologjinë në luftë, përfshirë sulmet ajrore me precizion dhe operacionet e mbështetura nga inteligjenca artificiale.

Po ashtu, vëmendje e veçantë i kushtohet ritmit me të cilin po përdoren armët dhe sistemet kryesore, si raketat Tomahawk dhe mbrojtja ajrore Patriot.

Një tjetër element që po tërheq interes është përdorimi i dronëve me kosto të ulët nga Irani, të cilët në disa raste kanë krijuar rreziqe reale për aleatët e SHBA në rajonin e Gjirit. Kjo po ndryshon mënyrën se si po vlerësohen kërcënimet në konfliktet moderne.

Raporti përmend edhe faktin se një pjesë e pajisjeve ushtarake iraniane përmban komponentë me origjinë nga Kina, çka i jep Pekinit mundësi të tërthorta për të mbledhur informacion mbi mënyrën se si përdoren këto sisteme në terren.

Për Rusinë, kjo situatë shërben edhe si një pikë krahasimi mes teknologjisë amerikane dhe asaj që përdoret nga Irani, sidomos në fushën e dronëve, që po bëhen gjithnjë e më të rëndësishëm në luftërat e sotme.

Sipas analistëve, këto vëzhgime mund të ndikojnë në strategjitë e ardhshme të Moskës, përfshirë edhe mënyrën se si ajo e sheh konfliktin në Ukrainë dhe marrëdhëniet me vendet e NATO-s.