Nga hotelet me 5 yje te çmimet “nën kontroll”, kryebashkiaku Tavo për “Ora News”: Himara gati për të thyer rekorde këtë verë

Sezoni turistik në Himarë ka nisur më herët se kurrë, duke premtuar një verë rekordesh me një rritje të ndjeshme të numrit të vizitorëve.

Në një lidhje të drejtpërdrejtë nga Himara në studion e lajmeve në “Ora News”, kryebashkiaku Vangjel Tavo bëri me dije se investimet madhore në infrastrukturë, hotelet e reja luksoze dhe një strategji për të mbajtur çmimet të qëndrueshme, e pozicionojnë bregdetin e jugut si një destinacion elitar dhe tërheqës për turistët nga e gjithë bota.

Kryebashkiaku Tavo tha se sezoni ka filluar rreth një muaj e gjysmë më shpejt se viti i kaluar, me rezervime që tashmë shtrihen deri në shtator, duke sinjalizuar një zgjatje të ndjeshme të periudhës turistike. Pritet një rritje prej 20 deri në 30 për qind e vizitorëve krahasuar me vitin e mëparshëm, ku u regjistruan rreth 220 mijë pushues. Ky optimizëm mbështetet në një strategji të qartë zhvillimi dhe promovimi.

Tavo tha se transformimi i Himarës është i dukshëm falë investimeve të qeverisë shqiptare dhe baskisë, duke shtuar se problemet e së kaluarës me energjinë, ujin e pijshëm dhe ujërat e zeza janë zgjidhur përfundimisht, duke përmirësuar ndjeshëm cilësinë e shërbimeve.

Paralelisht me këto, Tavo theksoi se, investime të mëdha private po sjellin në Himarë marka ndërkombëtare hotelesh me pesë yje, duke e ngritur destinacionin në një nivel të ri dhe duke synuar një turizëm elitar.

Oferta turistike nuk kufizohet vetëm te deti, por përfshin edhe malin dhe resurse të tjera natyrore, të cilat po bëhen më të aksesueshme falë infrastrukturës së përmirësuar.

Kryebashkiaku Tavo tha po ashtu se Himara këtë vit pritet të mirëpresë turistë nga e gjithë bota, përfshirë gjermanë, italianë, grekë dhe amerikanë.

Një nga shqetësimet kryesore të pushuesve, çmimet, duket se është nën vëmendjen e autoriteteve. Ndonëse bashkia nuk i kontrollon dot drejtpërdrejt, Tavo theksoi se ekziston një mirëkuptim me operatorët turistikë për të mos pasur rritje abuzive, duke siguruar që Himara të mbetet konkurruese në rajon.

Përtej diellit dhe detit, Himara ofron edhe përvoja autentike kulturore. Një nismë e veçantë këtë sezon është "Oborret që flasin", ku familjet himariote do të hapin dyert e shtëpive të tyre karakteristike për të gatuar për vizitorët, duke promovuar kulinarinë unike të zonës.

Për më tepër, shtoi Tavo, eventi hapës i sezonit do të kulmojë me një koncert nga ylli i muzikës greke, Konstantinos Argiros, duke tërhequr vëmendje të gjerë.

“Me një kombinim të natyrës së mrekullueshme, infrastrukturës moderne dhe një oferte të pasur kulturore, Himara po përgatitet jo vetëm për një sezon të suksesshëm, por për të konsoliduar statusin e saj si një perlë e turizmit mesdhetar”, u shpreh kryebashkiaku i Himarës Vangjel Tavo këtë të premte për “Ora News”.

INTERVISTA

Vangjel Tavo: Këtu në Himarë nuk vihet thjesht për pushime, po ata që vijnë në Himarë, vërtet bëjnë pushime, por ikin me shumë kujtime. Kujtime që nuk harrohen dhe rikthehen përsëri, vizitojnë përsëri Himarën dhe bëjnë pushime në Himarë.

Cilat janë pritshmëritë zoti Tavo për këtë sezon?

Vangjel Tavo: Sikurse e thashë, ky sezon ka filluar rreth një muaj e gjysëm më shpejt se vitin e kaluar dhe ndërkohë nga kontaktet që kam me operatorët turistikë, pra operatorët akomodues, hoteleritë, ë më thonë që rezervimet janë deri në muajin nëntor. Pra përsëri kemi një shtyrje, pra shtesë të mbylljes së sezonit, le ta quajmë kështu, rreth një muaj e gjysëm, pra që do të thotë në bashkë është rreth dy muaj deri në tre muaj më tepër se vjet. Nëse do të flasim për një vit më parë 2025-ën, ne kemi pritur në Himarë rreth 220 mijë ë vizitorë, pushues që kanë pushuar në këtë bashki. Pra sivjet kuptohet pritet rreth 20-30% patjetër më shumë vizitorë dhe pushues në Bashkinë e Himarës.

Çfarë ofron Himara ndryshe këtë vit?

Vangjel Tavo: Himara patjetër që ka detin dhe gjiret e mrekullueshëm, por mos harrojmë, Himara nuk ka vetëm det. Himara ka edhe male, Himara ka edhe shumë resurse turistike të cilat ne kemi investuar për të përmirësuar infrastrukturën dhe për t'i bërë ato të vizitueshme! Pra më lehtë për t'i vizituar, për t'u aksesuar nga të gjithë vizitorët vendas dhe të huaj. Nga ana tjetër, një sërë investimesh të tjera të qeverisë shqiptare po dhe të Bashkisë së Himarës, në infrastrukturë, në energji, në ujin e pijshëm, në implantin e ujërave të zeza, kanë përmirësuar ndjeshëm gjithë situatën në këtë bashki dhe që zgjidh, ka zgjidhur njëherë e mirë problematikën që kemi pasur vitet e kaluara për sa i përket energjisë apo ujit të pijshëm apo ndotjes së detit. Pra, këto janë zgjidhur. Nga ana tjetër kemi investime madhore private në fushën e hotelerisë, ku janë ndërtuar dhe vazhdojnë të ndërtohen një numër i konsiderueshëm, një numër i madh hotelesh me pesë yje, brende të ndryshme ndërkombëtare që patjetër këto përmirësojnë akomodimin pra, qëndrimin në Bashkinë e Himarës, por e ngrënë Himarën në një nivel tjetër, në një turizëm atë që ne e kemi objektiv, ne dhe qeveria shqiptare, që Himara, ashtu sikurse konsiderohet nga të gjithë, është një vend për një turizëm elitar dhe padyshim që drejt asaj po shkojmë.

Nga vijnë pushuesit dhe turistët?

Vangjel Tavo: Janë nga e gjithë bota, ka gjerman, ka shumë italian, ka grek, ka, domethënë realisht, ka amerikan, ka pothuajse, pothuajse nga shumë vende të botës, nga e gjithë bota. Nëse do të kaloni edhe sot do t'i shikoni këtu, por edhe në qendrën e Himarës, nëse do kaloni përditë do të shikoni edhe në xhiro, po dhe në kafe, do të shikoni nga njerëz, pushues nga shumë vende të botës.

Tregje të reja kemi këtë vit, duke qenë se edhe lufta në Lindjen e Mesme si do të ndikojë?

Vangjel Tavo: Edhe kjo mund të jetë një mundësi më shumë, por ne nuk i qëndrojmë thjesht faktit që ka luftë. Ne po punojmë që të rrisim standardin e e Himarës, të rrisim standardin për pushuesit himariotë në mënyrë që ne të mos varemi nga lufta, por të kemi një turizëm jo vetëm gjashtë apo shtatë mujor, por një turizëm gjithëvjetor në Himarë.

Ëmbëlsira do të jetë për në fund në këto tre netë apo jo? Këngëtari i njohur grek...

Vangjel Tavo: Këngëtari i njohur grek, Konstantinos Argiros, do të performojë ditën e diel, natën e fundit të këtij organizimi, ku së bashku me aktivitetet e tjera të asaj mbrëmje, të cilat më lejoni mos t'i them të gjitha, të mbajmë ndonjë surprizë për ata që do të vizitojnë Himarën, por edhe ata që do të na ndjekin nëpërmjet ekranit të televizorit.

Kemi himariotë që kanë ardhur për sezonin turistik dhe që jetojnë jashtë?

Vangjel Tavo: Ka shumë himariotë që kanë ardhur, ka dhe himariotë që janë kthyer përfundimisht në Himarë. Ka një numër i konsiderueshëm të rinjsh që janë kthyer dhe kanë filluar të ushtrojnë aktivitetin e tyre në Himarë, pra biznes.

Dhe diçka, po, diçka të fundit mos të të mbaj shumë se nisin dhe aktivitetet. Pse duhet të vijnë në Himarë në këto tre ditë qytetarët dhe të huajt, të cilët gjenden në qarkun e Vlorës?

Vangjel Tavo: Ashtu sikurse e theksova, Himara ofron shumë gjëra. Ne nuk ofrojmë vetëm detin që e kemi të mrekullueshëm, nuk ofrojmë vetëm këto gjire të mrekullueshme, natyrën e mrekullueshme, mikpritjen e himariotëve, kulinarinë himariote që kemi një tjetër projekt gjatë atyre ditëve, oborret që flasin, që do hapen shumë oborre të shtëpive të karakteristike të Himarës, shtëpive historike të Himarës, ku nënat, gratë himariote do të gatuajnë për të gjithë vizitorët dhe është një mundësi për të provuar dhe kuzhinën himariote, pra kulinarinë...

Gatuajnë shumë mirë patjetër se kam një vit e gjysëm që jetoj në Himarë, kështu që ka shumë gjëra në Himarë që një pushues mund të vijë, duhet të vijë dhe të vizitojë dhe e kam thënë dhe herë tjetër, po e them prapë që në Himarë ata që vijnë për pushime, ikin me shumë kujtime dhe i rikthehen Himarës përsëri për të përjetuar kujtime të reja.

Dhe të kanë mirëpritur himariotët, shumë mirë.

Vangjel Tavo: Jam përpjekur që të arrijmë në këtë, në këtë ditë.

Çfarë ndodh me çmimet të paktën për këtë sezon, për këtë sezon duke marrë parasysh që kemi edhe luftën në Lindjen e Mesme? Qofshin ato në çmime hotelerike, në çmimet e restoranteve, të bareve, por po ashtu edhe në shezllone.

Vangjel Tavo: Kemi qenë dhe jemi në kontakt të vazhdueshëm me operatorët turistikë për të mbajtur një standard cilësie, por nga ana tjetër për të mbajtur edhe çmimet, le t'i quajmë në thonjëza nën kontroll, sepse nuk është Bashkia e Himarës që kontrollon çmimet, por jemi në kontakt të vazhdueshëm vërtet me operatorët turistikë dhe kemi një mirëkuptim të tyre që të mos kemi rritje të çmimeve, sepse është provuar vjet në Himarë nga jo më shumës e dy operatorë që kanë tentuar të bëjnë diçka të tillë dhe kanë, në fakt kanë dështuar dhe ju rikthyen përsëri çmimeve ë standarde që ka pothuajse e gjithë Himara. Ne, sikurse e thashë, po punojmë për të mbajtur standardin e cilësisë, por edhe çmimet në mënyrë që të jemi të konkurrueshëm me jo vetëm vendet e tjera turistike në Shqipëri, bregdetare, por edhe në rajon.

E qartë. Dhe turistët e huaj, duke marrë shkas edhe nga sezoni i kaluar, parapëlqejnë më shumë plazhin privat apo atë publik në Himarë?

Vangjel Tavo: Atëherë, unë mund t'ju them dhe e them me shumë kënaqësi këtë që vjet, ju për mua ishte viti i parë, një sezon i parë turistik si kryetar bashkie, ne kemi pasur 30% të plazheve publike, ndërsa sivjet ne kemi 29% plazh publik në Bashkinë e Himarës, pra është risi kjo dhe mendoj që duhet ta ketë vetëm Himara, nuk besoj ta kenë bashkitë e tjera të kenë arritur këtë shifër dhe vitin tjetër për mua do të ishte mirë që ky shifër të rritej në favor të plazheve publike dhe do përpiqemi ta bëjmë dhe vitin tjetër këtë gjë. Pushuesit patjetër kanë nga më të ndryshmit. Kanë nga ata që preferojnë plazhet publike, e kemi vënë re vjet këtë, por ka dhe nga ata që duan të shkojnë në plazhet private sepse kërkojnë kushte të tjera. Është çështje e tyre.

NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË ME KRYEBASHKIAKUN E HIMARËS VANGJEL TAVO