Fier, kultivimi i luleshtrydhes “ rritet” me hapa të shpejtë, 60% e prodhimit për eksport
Qarku i Fierit po kthehet gjithnjë e më shumë në një nga zonat kryesore sa i takon prodhimit të luleshtrydhes në vendin tonë, duke u kthyer në model të zhvillimit bujqësor drejt tregut vendas si dhe eksportit.
Zonat e tilla si ajo e Cakranit, Frakullës dhe Kafarajt kanë zgjeruar ndjeshëm vitet e fundit sipërfaqet e mbjella me luleshtrydhe. Fermerët kanë kryer investime në sera më moderne dhe teknologji të avancuara për kultivim.
Ndërsa sezoni i luleshtrydhes ndodhet në pikun e vet duke mbushur tregjet, jugu i Shqipërisë mban dhe peshën kryesore sa i takon prodhimit dhe kultivimit të këtij fruit kaq të kërkuar.
Sipas të dhënave të publikuara nga Drejtoria e Bujqësisë Fier, aktualisht në territorin e Bashkisë Fier kultivohen rreth 130 hektarë me luleshtrydhe, të shpërndara në rreth 250 ferma.
Sa i takon rendimentit mesatar të luleshtrydhes, ai arrin në 600 kv/ha, duke reflektuar përmirësimet në teknologjinë e kultivimtit dhe praktikat bujqësore më moderne, të përdorura nga fermerët.
Peshën kryesore të prodhimit të këtij fruti e mban Njësina Administrative Frakull, ku kultivohen rreth 110 hektarë të mbjella me luleshtrydhe , duke e kthyer në një nga zonat kryesore të prodhimit të saj.
Duke iu referuar statistikave, sipërfaqet e mbjella me luleshtrydhe kanë pësuar rritje të vazhdueshme, ndërsa këtë vit rendimenti i paraqitet më i lartë krahasuar me vitin 2025. Kjo falë kushteve të favorshme klimatike dhe përdorimit të teknikave më të avancuara të kultivimit.
Një pjesë e konsiderueshme e prodhimit është e orientuar drejt eksportit.
Sipas statistikave zyrtare, rreth 60% e luleshtrydhes së prodhuar në Fier shkon për tregjet e huaja, kryesisht në vendet e rajonit dhe Bashkimit Europian.
Për pasojë vihet re një rritje e të ardhurave për fermerët dhe forcimin e rolit të këtij sektori në ekonominë vendase.
Zgjerimi i kësaj kulture bujqësore dhe kërkesa në rritje për produktet “Made in Albania”, po e shndërrojnë luleshtrydhen në një nga kulturat më premtuese për zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë vendase dhe rritjen e eksporteve shqiptare.

