“AJRI QË MBYT”/ Fabrika e peletit “ALB-BM” në Lushnje ndotje alarmante. Institucionet nisin verifikimet
Këto janë pamje që i sheh çdo drejtues mjeti kur kalon në km 12 të autostradës Rrogozhinë-Lushnje .
Por për banorët dhe bizneset e zonës, kjo nuk është thjesht një panoramë kalimtare, është përditshmëria që e ka kthyer jetesën normale në një sfidë të vazhdueshme.
Pas ankesave të banorëve për ndotje masive “Ora News” ka vëzhguar situatën në terren.
Ajër i rënduar dhe tymi i dendur që ngrihen nga zona e përpunimit krijojnë vështirësi të dukshme në frymëmarrje sapo i afrohesh kësaj hapësire industriale.
Subjekti që ushtron aktivitetin në këtë zonë është “ALB-BM”, me administrator Z. Endi Ylli. Objekti i aktivitetit të tij është prodhimi i peletës nga bërësit e ullirit.
Pas shqetësimeve të ngritura nga banorët, televizioni “Ora News” i është drejtuar me një kërkesë për informacion subjektit ALB-BM.
Në përgjigje, subjekti sqaron se disponon leje mjedisore dhe se gazrat e shkarkuar në atmosferë kalojnë në dy sisteme filtrimi.
Megjithatë, një tablo tjetër e situatës paraqitet nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit.
Ky institucion bën me dije për “Ora News” se janë kryer disa inspektime ku janë marrë edhe masa me gjobë për subjektin.
Një nga shkeljet e konstatuara gjatë inspektimit, ka qenë mungesa e filtrave në kaldaja.
Pamundësia e banorëve për të hapur dritaret e shtëpive dhe ankesat e tyre në institucione me paralajmërimin se çështja do bëhet mediatike ka bërë që në mars 2026 Agjencia Rajonale e Mjedisit të marrë masa urgjente për rishikimin e lejes mjedisore dhe pezullimin e shkarkimeve në vaskat dekantuese.
Sipas këtij institucioni, subjekti nuk mund të ushtrojë veprimtarinë pa kryer ndryshimet e kërkuara në lejen mjedisore, ndërsa për këtë situatë janë njoftuar edhe organet kompetente.
Televizioni “Ora News” do të vijojë të jetë në krah të banorëve deri në zgjidhjen përfundimtare të kësaj problematike.

