1 MAJI/ Hasalla: 39% e punonjësve shqiptarë nuk e mbyllin dot muajin! 48 humbje jete në punë
Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve e gjen Shqipërinë përballë një realiteti sfidues në tregun e punës, ku mungesa e sigurisë dhe vështirësitë ekonomike mbeten problematika thelbësore.
E ftuar në studion e lajmeve në “Ora News”, ekspertja e punësimit, Gertjana Hasalla, u shpreh se 1 Maji shërben më shumë si një ditë për të kërkuar kushte dinjitoze se sa për të festuar.
Të dhënat nga një anketë pesëvjeçare e Bashkimit Europian zbulojnë një panoramë alarmante për punonjësit në Shqipëri.
Plot 39% e tyre deklarojnë se kanë vështirësi ose vështirësi të mëdha për të mbyllur muajin me të ardhurat që sigurojnë. Kjo shifër e vendos Shqipërinë në vendin e parë në rajon për këtë tregues negativ, duke lënë pas Greqinë me 21% dhe Malin e Zi me vetëm 7%. Diferenca është dramatike edhe me mesataren e Bashkimit Europian, ku vetëm 8% e punonjësve përballen me këtë vështirësi. Edhe Kosova paraqitet në një situatë ndjeshëm më të mirë, me 18%, një shifër sa gjysma e asaj të Shqipërisë.
Përveç pamundësisë ekonomike, një tjetër problem madhor mbetet siguria në vendin e punës. Ekspertja Hasalla theksoi se janë regjistruar 48 humbje jete në punë, kryesisht në sektorë me rrezikshmëri të lartë si ndërtimi, minierat dhe shërbimet. Sipas saj, siguria është një kusht themelor dhe i panegociueshëm, mungesa e të cilit e bën çdo diskutim tjetër për përmirësimin e kushteve të punës të pakuptimtë.
Por cilat janë arsyet që e kanë sjellë tregun shqiptar të punës në këtë gjendje kritike? Ekspertja identifikon informalitetin e lartë si shkakun kryesor. “Për aq kohë sa informaliteti është i lartë, vendet e punës nuk janë të sigurta dhe nuk ka mjaftueshëm inspektorë për monitorim, do të jetë shumë e vështirë që ekonomia të funksionojë siç duhet”, shpjegoi Hasalla. Ajo shtoi se një qasje më e hapur ndaj mentalitetit europian të të bërit biznes, si në rastin e Kosovës, mund të sillte përmirësime.
Studimi gjithashtu vë në dukje se shtresat më të prekura nga kjo situatë janë punonjësit më pak të kualifikuar dhe ata me fëmijë, të cilët hasin vështirësi edhe më të mëdha për të përballuar jetesën. Të dhënat, tha Hasalla, tregojnë një krizë sistemike që kërkon ndërhyrje urgjente për të garantuar siguri, dinjitet dhe një pagë jetese për punonjësit shqiptarë.
NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË ME EKSPERTEN E PUNËSIMIT GERTJANA HASALLA

