Skandal me ushqimet, Sulaj: Katër produkte me pesticide në treg, autoritetet heshtin për rrezikun

Një situatë alarmante është krijuar në tregun ushqimor, ku të paktën katër produkte kanë rezultuar pozitive me pesticide, por emrat e tyre po mbahen të fshehur nga autoritetet përgjegjëse.

Kapllan Sulaj, Dekan I Bioteknologjisë dhe Ushqimit, u shpreh në emisionin “Alert”, në “Ora News” se kjo mungesë transparence nga ana e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU) përbën një shkelje të rëndë ligjore dhe vë në rrezik të drejtpërdrejtë shëndetin e konsumatorëve.

Sulaj ngre pikëpyetje serioze mbi procedurat e ndjekura, duke theksuar se kapacitetet laboratorike shqiptare, siç është Instituti i Referencës për Sigurinë Ushqimore dhe Veterinarinë (ISUV), i cili ka aftësinë të analizojë mbi 360 lloje substancash, janë anashkaluar në këtë proces.

Sipas tij, praktika korrekte do të ishte kryerja e një testimi paralel: një analizë në laboratorin kombëtar dhe një tjetër në një laborator reference në një vend të Bashkimit Evropian, siç ishte rasti i Italisë. Kjo do të mundësonte një krahasim të rezultateve dhe do të garantonte gjetjen e së vërtetës pa ekuivoke.

Pas marrjes së rezultateve pozitive, AKU duhet të kishte vënë menjëherë në lëvizje Drejtorinë e Vlerësimit të Riskut. Kjo drejtori kishte për detyrë të hartonte një raport të detajuar vlerësimi për të gjithë situatën, duke nisur që nga muaji qershor. Mbi të gjitha, autoriteti kishte detyrimin ligjor të bënte publike faktet, veçanërisht informacionin për katër mostrat që dolën me prani të pesticideve të rrezikshme.

Ligji për sigurinë ushqimore e përcakton qartë se në momentin që identifikohet një rrezik për konsumatorin, komunikimi me publikun duhet të jetë i menjëhershëm. Fshehja e emrit të prodhuesit apo të markës së produktit është e papranueshme. Ky hap është thelbësor për të mbrojtur publikun, duke i dhënë mundësinë të shmangë ekspozimin ndaj rrezikut.

Ironikisht, ndërsa autoritetet nuk hezitojnë të bëjnë publik emrin e një operatori të vogël për shkelje të kushteve higjieno-sanitare, në këtë rast, kur bëhet fjalë për produkte me markë të pranishme në treg, po mbahet një heshtje e pajustifikueshme. Konsumatorët mbeten në errësirë, pa e ditur se cilat janë produktet e rrezikshme, nëse ato janë ende në qarkullim apo nëse janë bllokuar, duke vazhduar të jenë të ekspozuar ndaj një rreziku të panjohur.

Ndiqni emisionin e plotë: