48 punëtorë të vd*kur, asnjë i dënuar/ Nikollaj ngre alarmin për dështimin e drejtësisë dhe institucioneve

I ftuar në studion e lajmeve në "Ora News", ishte Kol Nikollaj, Presidenti i Sindikatave Shqiptare, i cili tha se 48 punëtorë kanë humbur jetën në aksidente në vendin e punës, por për këto tragjedi nuk ka asnjë person të dënuar.

Kjo situatë alarmante sipas tij hedh dritë mbi një dështim sistemik të institucioneve shtetërore për të garantuar sigurinë dhe drejtësinë për punonjësit, ndërkohë që kërkesat e sindikatave për kushte më të mira, si paga e 13-të, cilësohen si të bllokuara nga keqqeverisja dhe jo nga pamundësia ekonomike.

" Janë tërësisht të realizueshme. Ato vijnë vetëm nga keqqeverisja, nga papërgjegjshmëria në menaxhimin e situatës politike dhe ekonomike të vendit dhe nga mungesa e zbatimit të legjislacionit dhe veçanërisht nga mungesa e standarteve të Bashkimit Europian apo të ILOS në fushën e punësimit dhe të sindikatave.

Ne absolutisht nuk kemi kërkuar gjëra që nuk realizohen. Në qoftë se ne kërkojmë për një pagë të 13, duke filluar nga administrata publike së pari, sepse nëse paga e 13 do t'i jepet administratës publike, atëherë automatikisht edhe biznesi, sepse ne shumë në kontrata kolektive në biznes edhe e kemi arritur. Por në administratën publike jo.

Problemi është që administrata publike duhet të, nga arsyeja e ngarkesës së madhe të punës që kanë, sepse janë dhe proces, që mos të largohem nga tema, dhe proceset e integrimit e të tjera, duhet që administrata publike të jetë më e vlerësuar, të jetë më e pavarur politikisht dhe të jetë më korrekte në punë me së fundi. Ndryshe do të bëhet siç thonë shkodranët "ta shkojë ia ke puna".

Realisht më problematikë për sa i përket problemit se mund të ndahet, secili mund të ketë një fushë të caktuar.

Për sa i përket sigurisë në punë, e cila për ne është shumë problem, realisht është sektori i ndërtimit, sektori i minierave, këto vitet e fundit dhe sektori i energjisë, ëh dhe sektorë të tjerë prodhues.

Por kjo nuk vjen për efekt të profesionit, pavarësisht se këto janë profesione me rrezik të lartë. Kjo vjen nga mungesa e përgjegjësisë që kanë strukturat ligjzbatuese të shtetit.

Inspektorati i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore, i cili është kthyer në një formalitet, në një rudiment ose në një OJF, por kështu edhe sistemi i drejtësisë fatkeqësisht, pavarësisht nga puna e mirë që mund të ketë bërë SPAK-u me drejtësia me dënime të ndryshme për politikanë të ndryshëm, realisht në fushën e sigurisë dhe shëndetit në punë, drejtësia është zero", u shpreh Nikollaj.