FOTO/ Mashtrime online nga Shqipëria: si funksiononte rrjeti i call center-ave që u mori 50 milionë euro italianëve
Një rrjet kriminal i përfshirë në mashtrime online në shkallë të gjerë është goditur në Shqipëri: mes viktimave ka edhe shtetas italianë.
Operacioni, që zgjati mbi dy vjet, çoi në arrestimin e dhjetë personave, kontrollin e disa ambienteve dhe sekuestrimin e afro 900 mijë eurove cash.
Rrjeti, i cili menaxhonte disa call center në Tiranë, dyshohet se ka shkaktuar dëme të mëdha ekonomike, me një total prej të paktën 50 milionë eurosh. Këto call center ishin të organizuara në mënyrë profesionale, duke imituar struktura të ligjshme biznesi me ndarje të qartë rolesh dhe hierarki menaxheriale.
Viktimat tërhiqeshin përmes platformave të rreme të investimeve online, që dukeshin të besueshme, përmes reklamave mashtruese në rrjete sociale ose në kërkime në internet, duke u joshur me premtime për fitime të larta. Pas regjistrimit fillestar, atyre u caktoheshin “agjentë besnikërie”, që paraqiteshin si këshilltarë apo brokerë financiarë.
Këta agjentë menaxhonin llogaritë e viktimave për periudha të gjata, shpesh duke përdorur programe të aksesit në distancë për të marrë kontroll të plotë mbi pajisjet e tyre elektronike. Mashtruesit shtirreshin si ekspertë dhe ushtronin presion psikologjik për t’i bindur viktimat të investonin më shumë, duke pretenduar në mënyrë të rreme përfitime të sigurta.
Në realitet, paratë nuk investoheshin kurrë, por kanalizoheshin në një skemë ndërkombëtare të ndërlikuar pastrimi parash, duke përfunduar në duart e organizatës kriminale. Operatorët ishin të organizuar në ekipe prej 6 deri në 8 personash, secili i specializuar në një gjuhë të caktuar për tregje të ndryshme, përfshirë italisht, gjermanisht, anglisht, greqisht dhe spanjisht.
Njohja e gjuhës përdorej për të krijuar besim te viktimat dhe për t’i bindur ato të transferonin shuma të mëdha parash për “investime” të rreme.
Rrjeti kishte një strukturë të gjerë, me deri në 450 punonjës në departamente të ndryshme. Drejtuesit e ekipeve mbikëqyrnin aktivitetin e përditshëm, ndërsa një përgjegjës për çdo call center koordinonte operacionet. Operatorët paguheshin rreth 800 euro në muaj, plus komisione për çdo “kontratë” të realizuar.
Viktimave u kërkohej të hapnin llogari në platforma kriptovalutash dhe të bënin një depozitë fillestare prej 500 eurosh. Më pas, mashtruesit i bindnin të kryenin pagesa të tjera për t’i zhatur më tej.
Aksionet e zhvilluara çuan në arrestimin e dhjetë personave në Tiranë. Gjatë kontrolleve në tre call center dhe nëntë banesa u sekuestruan 891,735 euro cash, 443 kompjuterë, 238 telefona celularë, 6 laptopë, si dhe pajisje të tjera ruajtjeje të të dhënave.
Viktimat e kësaj skeme mashtrimi ndodheshin në shumë vende të botës, përfshirë Itali, Gjermani, Greqi, Spanjë, Kanada dhe Mbretëria e Bashkuar./Syri.net


