Sezoni turistik, PL: Bashkia e Pogradecit dyfishon çmimet e vendparkimeve me pagesë në qytet
Deklarata e Sekretarit Politik në Qarkun e Korçës, Dr. Gentian Çala
Të nderuar bashkëqytetarë!
Partia e Lirisë, Dega Pogradec, distancohet nga qëndrimi i këshilltarëve të majtë në Këshillin Bashkiak të Pogradecit, të cilët kanë votuar sot për rritjen e çmimeve, më saktë dyfishimin e tyre dhe zgjerimin e vendparkimeve me pagesë ne qytet.
Ky qëndrim, kjo vendimmarrje, dëshmon edhe një herë se Bashkia Pogradec nuk ka aspak në fokus interesin e qytetarëve, por u shërben interesave klienteliste të të gjithë atyre që përfitojnë prej tyre.
Mjafton të shikoni situatën e rrugëve brenda qytetit, të trafikut të rënduar dhe të mungesës së parkimeve për të kuptuar se e gjithë sipërmarrja nuk ka aspak për qëllim
lehtësimin e jetesës së qytetarëve, por thjesht futjen e dorës në xhepat e tyre, sa me taksa dhe tarifa të fryra, po aq edhe me gjoba.
Përshëndesim qëndrimin e këshilltareve opozitarë, të cilët megjithëse nuk i kanë votat për ta ndalur këtë turravrap interesash, kanë të gjithë kurajon ta kundërshtojnë atë, kurse ju, té dashur qytetarë, keni mundësi ti thoni jo kësaj përmes votës suaj në zgjedhjet e ardhshme vendore!
