“U kushtojnë shqiptarëve mbi 350 mln euro në 30 vite”/ Raporti për Ballkanin: Projekte inceneratorësh të dështuara, dëm për mjedisin dhe shëndetin
Një raport i hartuar nga rrjeti Bankwatch thellohet në një analizë kritike të situatës me djegësit e mbetjeve në Ballkanin Perëndimor.
Sipas të dhënave, qeveritë e rajonit dhe kompanitë që u shërbejnë, kanë gjetur si zgjidhje disa projekte inceneratorësh, duke e kthyer në një trend rajonal që nuk po sjell asnjë përfitim.
Bazuar në raport, këto projekte, një pjesë e të cilave janë ende në letër, janë një provë sesi institucionet e rajonit vijojnë në një rrugë teknikisht të paqëndrueshme, të rrezikshme për mjedisin dhe shëndetin, të kushtueshme financiarisht dhe të papajtueshme me politikën dhe legjislacionin e BE-së për mbeturinat dhe energjinë.
Për Shqipërinë janë listuar tre inceneratorët, të Tiranës, Fierit dhe Elbasanit, që u kushtojnë taksapaguesve shqiptarë mbi 350 milionë euro në 30 vite, sipas shifrave të auditit shtetëror nga KLSH.
Shembuj konkretë, veç Shqipërisë, përfshijnë projektet në Tuzla dhe Kakanj të Bosnjë dhe Hercegovinës, termocentralin e propozuar prej 50 MW për shndërrimin e mbeturinave në energji në Podgoricë dhe inceneratorin e Vincës në Beograd.
E gjithë kjo, në një kohë kur edhe sipas specifikimeve nga Eurostat, sasia e mbetjeve urbane të ricikluara për frymë (kg/person), nga shumica e vendeve të Ballkanit Perëndimor raportohet në vlera shumë të ulëta ose nuk raportojnë fare të dhëna konkrete.
Këto të dhëna të pakta dhe në shumë raste edhe mosraportimi i tyre, siç nënvizohet në raport, konfirmon mungesën pothuajse totale të sistemeve të grumbullimit dhe riciklimit të ndarë në të gjithë vendet në rajon, si edhe mangësitë në menaxhimin e mbeturinave./CNA

