Raporti për lirinë e medias/ "Reporterët pa kufij": Shqipëria në vendin e 83-të, Kosova shënon përparim
Shqipëria është renditur në vendin e 83 në botë në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit të Reporterëve pa Kufij, ku Ora News vlerësohet mes mediave kryesore në vend.
Raporti evidenton një rënie me tre vende të Shqipërisë në renditjen globale, ndërsa vlerëson se liria e shtypit dhe pavarësia e medias kërcënohen nga konfliktet e interesit të biznesit dhe politikës, një kuadër ligjor i mangët dhe rregullim partiak.
Reporterët pa Kufij nënvizojnë se “edhe pse i paplotë, dekriminalizimi i shpifjes pritet të jetë i dobishëm për lirinë e medias”, ndërsa në anën tjetër thonë se gazetarët përballen me presion politik, sidomos gjatë zgjedhjeve.
Vetëcensura vlerësohet se është e përhapur, por megjithatë mediat kanë krijuar një platformë për vetërregullim etik, e para e këtij lloji në Shqipëri.
Duke iu referuar kornizës ligjore, raporti thekson se “edhe pse Kushtetuta e Shqipërisë dhe angazhimet ligjore ndërkombëtare garantojnë lirinë e shtypit, mbrojtja e konfidencialitetit të burimeve është e pamjaftueshme”.
Përfaqësues të opozitës i cilësuan të dhënat e raportit si këmbanë alarmi për lirinë e medias, ndërsa hodhën akuza ndaj mazhorancës se po dobëson demokracinë, minon transparencën dhe u heq qytetarëve të drejtën për të qenë të informuar.
Kosova, në anën tjetër, shënoi një përmirësim në lirinë e medias, duke u renditur në vendin e 84-t, ose 15 vende më mirë sesa vitin paraprak, sipas raportit ku thuhet se liria e shtypit në Ballkanin Perëndimor në përgjithësi po përkeqësohet.
Në vendet e tjera të Ballkanit, Mali i Zi renditet në vendin e 41-të nga i 37-ti që ishte vitin e kaluar, Maqedonia e Veriut ka shënuar rënie duke u renditur në vendin e 45-të.
Bosnja dhe Hercegovina ka zbritur në vendin e 90-të, ndërsa Serbia renditet më keq nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, duke qëndruar në vendin e 104-t në botë.
Në indeksin e organizatës, në vendin e parë për lirinë e shtypit renditet Norvegjia, ndërsa në vendin e 180-të është Eritrea.
