Gara për kreun e PD-së, Neza: Fituesi dihet, gjithçka është vetëm një formalitet

Procesi zgjedhor për kreun e ri të Partisë Demokratike po zhvillohet në një atmosferë ku konkurrenca reale vihet në dyshim.

Ndërsa janë shfaqur polemika rreth pengimit të disa kandidaturave potenciale, një analizë e thelluar sugjeron se rezultati i garës është praktikisht i paracaktuar.

Sipas analistit Sami Neza, i cili foli për "Ora News", gara aktuale brenda Partisë Demokratike duhet parë më shumë si një “moment formal” sesa një proces racional dhe konkurrues.

Ai argumenton se ky proces është bërë formalitet që nga momenti kur forumet e PD-së, nën drejtimin e Sali Berishës, vendosën të mos njohin rezultatin e zgjedhjeve parlamentare, një vendim që ndikoi drejtpërdrejt në statusin e kryetarit.

" Së pari, nëse ne bëjmë një përshkrim të kësaj gare për kryetarin e Partisë Demokratike, unë them se është një moment shumë formal për Partinë Demokratike dhe nuk është një moment racional, siç mund të ndodhë rëndom kur bëhen gara brenda një partie për postin e drejtuesit të saj.

Them se është një moment formal për shkak se që nga vendimi i zotit Berisha dhe i forumeve të Partisë Demokratike që mos të njihet rezultati i zgjedhjeve parlamentare të 2025-ës, një vendim i cili lidhet direkt me statusin e kryetarit të Partisë Demokratike pas përfundimit të zgjedhjeve, që nga atë moment pothuajse çështja e garës në PD për kryetar partie është një garë formale.

Aq më tepër bëhet formale kur në garë sërish është drejtuesi aktual i saj, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, për shkak të profilit të tij, i cili është dominues brenda Partisë Demokratike dhe natyrisht dominues edhe brenda opozitës në përgjithësi në Shqipëri.

Kjo e bën këtë garë, praktikisht të parëndësishme. Nuk është një garë e rëndësishme, nuk është një garë domethënëse, e cila mund të ndryshojë ose mund të sjellë një qasje tjetër brenda Partisë Demokratike.

Për shkak se fituesi është pothuajse i garantuar dhe i ditur se kush mund të jetë, dhe kushdo tjetër që mund të jetë i regjistruar si garues në përballë zotit Berisha, e ka pothuajse, është një pozicion që ka zgjedhur vetë për ta marrë formalisht për shkak se nuk mund të fitojë, të paktën në këto zgjedhje është e pamundur. Tjetër gjë pastaj kur do kenë, do jenë zgjedhjet e tjera të radhës të ndikuara ose nga afatet ose nga zgjedhjet parlamentare, që lidhen me, me vendimin, që lidhen me një nen ose me një artikull", u shpreh Neza.

Ndiqni intervistën e plotë: